Aktualisht nuk ka parti e cila do të mund ta rrezikonte fitoren e Vetëvendosjes

Aktualisht nuk ka parti e cila do të mund ta rrezikonte fitoren e Vetëvendosjes
Aktualisht nuk ka parti e cila do të mund ta rrezikonte fitoren e Vetëvendosjes

Gani Qarri

  • 02 January 2025 - 07:18

Pikat kryesore të javës me analistin Gani Qarri

A mund të jetë shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë një zgjidhje e qëndrueshme, apo është një opsion i rrezikshëm që mund të shkaktojë tensione të mëtejshme në rajon?

Gani Qarri: Megjithëse realisht, askush nuk e dinte me saktësi se çfarë në fakt do të përfitonte Kosova në këmbim të veriut, plani famëkeq i ndarjes në vija etnike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe ripërtëritja i ideve luftënxitëse, për herë të parë u shfaq publikisht, nga tandemi konspirativ Hashim Thaçi & Aleksandër Vuçiqi më 25 gusht të vitit 2018 në Alpbach të Austrisë, prandaj, që nga fillimi i inicimit misterioz të kësaj ideje të rrezikshme nga Thaçi dhe Vuçiq, ndarja është duke u konsideruar si një nga tërmetet më të pështira, valët "sizmike" të të cilës do të tronditnin gjithë Ballkanin Perëndimor, nëse jo edhe më gjerë.

 


Madje kjo ndodhi me gjithë vetëdijen e të dyve, se ideja për shtete etnikisht të pastra në Ballkan, është një model me efekte shumë të rënda domino në mbarë Evropën juglindore, që do të ringjallte serish ideologjitë radikale, veçanërisht ato ultranacionaliste serbe dhe kthente gjithë rajonin në përsëritjen e tragjedive të njohura të viteve të ’90-ta, si dhe do të nxiste, përsëri shpërthimin e luftërave edhe më të përgjakshme etnike që ndodhën me shpërbërjen e ish federatës jugosllave.

Image

A është ndikimi i Donald Trump në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë i mjaftueshëm për të tejkaluar problemet e thella politike dhe ndërkombëtare që ekzistojnë mes dy vendeve?

Gani Qarri: Përkundër të gjithave, ish-drejtori i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Charles Kupchan, mendon se presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, do t’i vazhdojë përpjekjet të cilat ai i filloi gjatë mandatit të tij të parë për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që mund të përfshijë idenë e një shkëmbimi të mundshëm të territoreve, në kuadër të një marrëveshjeje finale, siç ishte diskutuar më herët gjatë administratës së parë të Donald Trump, njëra nga arsyet që Trumpi i ka dhënë një post të rëndësishëm Richard Grenellit si i dërguar për misione të veçanta, thotë Charles Kupchan.

Por duke njohur ambiciet e sëmura serbe, për gllabërimin e territoreve të huaja, plani për shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përveçse nuk ofron zgjidhje të qëndrueshme, është edhe një opsion shumë i rrezikshëm që mund të rrisë edhe më tepër tensionet dhe shkaktojë luftëra të përgjakshme në rajon, ndaj nëse procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, bazohet në ndarje territoriale, edhe ndikimi i Donald Trump jo vetëm që nuk do ti tejkaloi problemet e thella politike dhe ndërkombëtare që ekzistojnë mes dy vendeve, por edhe do ti përkeqësonte ato deri në luftëra të hapura për territore, poqe se bëhet fjalë për rishikimin e kufijve në vija etnike, që do të krijonte një precedent të rrezikshëm me domino efekt, për gjithë pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor.


Në fakt, çalimi i çështjes, filloi nga vet udhëheqja e atëhershme renegate e Kosovës, e cila në vend se agjenda e politike e tyre për vendin, të përfshinte një rrugë të qartë veprimi për forcimin e sovranitetit dhe avancimin e shtetësisë, fatkeqësisht plani famëkeq për ridefinimin e kufirit me Serbinë, u nis nga Hashim Thaçi, duke e ditur mirë se kjo aludonte, pikërisht në ndarjen e Kosovës.

Dhe nuk ishte asgjë tjetër, përveç një tendence të re fatkeqe, për humbje territoresh për shqiptarët, një formulë paraprirëse për luftëra të përgjakshme në gjithë Ballkanin Perëndimor, ku pas Kosovës, duke pasur parasysh kërcënimet e vazhdueshme për shkëputje të dhunshme nga BeH, të të ashtuquajturës "republika serbe", e dyta, që do të pësonte, do të ishte pashmangshëm, Bosnja e Hercegovina, prej nga spiralja e nacionalizimit mund të përhapej edhe në vendet tjera të përziera etnikisht, si FYROM-i dhe Mali i Zi, ku ka një përqindje relativisht të madhe të shqiptarëve, e ndoshta do të ringjalleshin edhe pretendimet greke, për okupimin e Shqipërisë së Jugut!

Kështu që, tani shohim se edhe vet profesori Kupchan shprehet skeptik, sa i takon idesë së shkëmbimit të territoreve, megjithëse ai mendon se ajo nuk ka vdekur tërësisht dhe se gjithnjë mund të kthehet si opsion në tavolinën e bisedimeve, por shtrohet pyetja, se a do ta mbështesin këtë opsion Kosova e Serbia si dhe faktori ndërkombëtar, duke njohur rreziqet që mund të pasojnë nga një akt i tillë i paprecedent!

Sipas Kupchan derisa në veri kryeministri Kurti ka realizuar ndërrimin e targave ilegale, shuarjen e strukturave paralele serbe, dhe instalimi i kryetarëve shqiptarë, aktualisht nuk ka gatishmëri nga Kosova dhe as Serbia për të lëvizur përpara në normalizimin e plotë të marrëdhënieve, së paku deri në zgjedhjet parlamentare, mirëpo pret që gjendje të ndryshoi pas zgjedhjeve.

Me gjithë mendimet e z. Kupchan ndarja e Kosovës, mbetet një nismë shumë e rrezikshme e cila do të hapte Kutinë e Pandorës dhe inkurajonte ekstremistët për formimin e shteteve, sipas parimeve etnike, një formulë tragjike, për shpërthimin e luftimeve dhe shkaktimin e fatkeqësive të paimagjinueshme në gjithë Ballkanin Perëndimor.

Ndarja do të jetë sfidë shumë serioze me pasoja të paparashikueshme për gjithë rajonin, ani pse shihet që ide të tilla të rrezikshme, për ndarjen e "territoreve të diskutueshme", me fitoren e Trumpit në SHBA, serish kanë filluar të qarkullojnë nëpër kokat e njerëzve, të cilët gjërat i shohin nga distanca ku jetojnë dhe janë larg nga realiteti që aktualisht mbretëron, i cili tani, nuk është më as përafërsisht si dikur dhe ndryshon shumë nga koha e mandatit të parë të z.Trump.

Andaj, duhet pasur mirë parasysh se ndarja eventuale e Kosovës në këto rrethana, do të shndërrohej, në promotor të ripërtëritjes së luftërave të viteve të 90-ta, të shekullit të kaluar, të iniciuara nga Serbia, që nuk do të mund të kufizohej më vetëm ndërmjet Kosovës e Serbisë, por do ta qonte në tragjedi të paparishikueshme të gjithë rajonin, për çka përgjegjësin duhet ta bartin, iniciatorët e kësaj ideje të rrezikshme, sido që mund të quheshin ata, qoftë edhe Trump e Grenell!

Image

A po përdor Vuçiqi çështjen e Kosovës si një mjet për të larguar vëmendjen nga protestat dhe krizën politike në Serbi?

Gani Qarri: Në kohën kur protestat masive të studentëve në universitetet serbe, të cilat duket se kësaj radhe kanë mbështetje të fuqishme edhe nga qytetarët dhe janë mjaft mirë të organizuara, kanë filluar ta rrezikojnë seriozisht pushtetin e Aleksandër Vuçiqit në Serbi, ato kanë nxitur Vuçiqin që serish ta përdor çështjen e Kosovës si një mjet për të larguar vëmendjen e qytetarëve serb nga protestat dhe krizën politike që aktualisht po dominon në Serbi!

Në fakt tensionet politike dhe sociale në Serbi, kanë filluar qysh në shkurt të vitit 2024, kur edhe vet Parlamenti Evropian miratoi një Rezolutë për Serbinë me thirrjen për hetim të pavarur ndërkombëtar, të parregullsive të theksuara, që me gjithë zotimet e partive në pushtet, për përmirësimin e kushteve zgjedhore dhe zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR , u panë serish në zgjedhjet komunale dhe ato parlamentare në Serbi, veçanërisht në kryeqytetin serb, Beograd ku dhe u ripërsëritën zgjedhjet, akt i cili ka bërë, që opozita dhe shoqëria civile të kenë shumë skepticizëm dhe shprehin mosbesim të pafund në Aleksandër Vuçiqin dhe partitë në pushtet, ndaj studentët dhe qytetarët serb, theksojnë se janë të vendosur, që protestat masive ti vijojnë edhe në natën e ndërrimit të motmoteve dhe fillim vitin 2025!
Dhe tani që ai po përballet me protestat më të mëdha qysh pas rënies së kriminelit Sllobodan Milosheviq, ish-ministri i Propagandës në Qeverinë e tij, president i Serbisë, krimineli Aleksandar Vuçiq ka zgjedhur të merret, përsëri me Kosovën, i cili në një intervistë dhënë për transmetuesin publik serb, tha se do të ketë më shumë vende nga Afrika dhe Azia që do të tërheqin njohjen e Pavarësisë së Kosovës, ani pse ekziston një marrëveshje si Marrëveshja e Washingtonit në SHBA, për mosndërmarrjen e hapave të tillë dhe mos pengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Ky paralajmërim dhe propagandë e fushatë e hapur kundër Kosovës, sipas profesorëve universitarë në vend, është vazhdimësi e luftimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, që nga shpallja e Pavarësisë dhe forma më e ashpër e shkeljes së marrëveshjes së Brukselit, aneksit të Ohrit dhe dakordimit me BE dhe SHBA, është shkelje e zotimeve që palët kanë marrë në procesin negociues, përmes të cilës Vuçiqi dhe Serbia, po synojnë të shmangin fokusin e qytetarëve serb, veçanërisht nga zhvillimet e brendshme politike”, për çfarë, profesori i shkencave politike, Dorajet Imeri beson se faktori ndërkombëtar duhet dhe do të tregohet i vendosur që ta pengojë destabilizimin e rajonit nga Vuçiqi dhe Serbia.

Edhe ish-deputeti e tani analisti politik, Afrim Kasolli beson se protestat në Beograd e kanë vënë në siklet të madh Vuçiqin, sa që ai po kërkon armiq të jashtëm, kurse sa i takon fenomenit të ç’njohjeve,para disa kohe kishte marrë përmasa shumë serioze, madje edhe derisa Kosova dhe Serbia diskutonin në dialogun e Brukselit për normalizim të marrëdhënieve, fenomen që u ndalë me marrëveshjen e Washingtonit të arritur nën drejtimin e ish-presidentit, Trump, i cili do ta merr serish detyrën e presidentit të SHBA-ve më 20 janar të vitit që po hyjmë dhe në masë të madhe kjo do të varet se çfarë qëndrimi do të mbajë Shtëpia e Bardhë në raport me tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” ndaj diplomacia kosovare duhet t’i përshtatet mendësisë së presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump, i cili sipas tij, preferon raportet bilaterale, e jo ato transatlantike, që ishin strategji e presidentit Joe Biden.

E lidhur me këtë, as kryediplomatja Donika Gërvalla, e as Ministria e Jashtme si institucion, por as nga Bashkimi Evropian, gjatë së premtes nuk kanë publikuar ndonjë qëndrim zyrtar mbi deklaratat konfuze të presidentit serb, i cili serish përpiqet ta përdor Kosovën, si kartë rezervë për ruajtjen e pushtetit dhe shpëtimin e vetes, nga ndonjë katarzë e llojit sirian edhe në Serbi, që do ta detyronte edhe Vuçiqin, njëjtë si Bashar al-Asadin të kërkonte shpëtim, duke ikur nga vendi dhe kërkuar azili politik, në Rusi!

Image

A është e mundur që Lëvizja Vetvendosje të ruajë këtë përparësi të theksuar deri në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, apo mund të ketë një ndryshim të papritur në balancën politike të Kosovës?

Gani Qarri: Siç dihet, shkuarja në amshim e Dr. Ibrahim Rugovës, arkitektit të pavarësisë dhe presidentit historik të Kosovës, ka lënë zbrazëti të patejkalueshme në LDK, e cila aktualisht udhëhiqet nga njerëz amator, të pa angazhuar fare, më parë në politikë, parti dikur shtetformuese, që ai vet drejtonte, siç ka rënë në margjina të politikës aktive edhe PDK, nga arrestimi i krerëve të saj, nga Gjykata Speciale, ndaj aktualisht, unë nuk shoh konkurrencë të denjë, e cila do të mund ta rrezikonte seriozisht fitoren e Partisë në pushtet, në krye me Albin Kurtin.

Shto kësaj faktin, se për herë të parë, pas më tepër se dy dekadash, Albin Kurti ka arritur ta shtrijë sovranitetin dhe vendos shtetin e së drejtës edhe në veri të Kosovës, e cila dominohej nga bandat kriminale e terroriste serbe dhe ishte kthyer në oazë të korrupsionit e krimit të organizuar, ku në kooketim me ish pushtetarët e kriminalizuar zhvillohej lirshëm tregtia e zezë dhe kontrabanda e gjithfarëllojshme, nuk besojë se mund të ketë ndonjë ndryshim të papritur në balancën politike dhe Lëvizja Vetvendosje, ka gjasa reale që të ruajë këtë përparësi të theksuar edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, të cilat do të mbahen në shtetin e pavarur të Kosovës.

Edhe sipas sondazhit të fundit, që reflekton preferencat e publikut për partitë politike në prag të zgjedhjeve, i cili dhe mund të sjellë ndryshime të mëtejshme në balancën politike të vendit deri në ditën e votimeve, aktualisht Lëvizja Vetëvendosje është duke udhëhequr me 47.1% të votave për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025,, kurse pas saj renditen PDK me 19.5%, LDK me 17.7%, dhe AAK me 6.6% të mbështetjes, ndërsa tjerët përbëjnë 9.1% të votave të mundshme.

Image

A mund të zgjidhet me sukses problemi i furnizimit me energji elektrike nëpërmjet angazhimit të KOSTT dhe KEDS, apo është ky një problem struktural që kërkon një reformë më të thellë në sektorin energjetik?

Gani Qarri: Bazuar në deklaratat e drejtuesve të kompanisë publike të KOSTT-it, ministres së Ekonomisë, zonjës Artane Rizvanolli, por edhe prononcimeve të vet kryeministrit Albin Kurti, në Kosovë nuk ka mungesë të energjisë elektrike, por rrjeti elektroenergjetik është vjetërsuar dhe nuk mund ta përballojë një ngarkesë kaq të madhe si kjo në fillim të dimrit, që ka arritur kufijtë maksimal të ngarkesës.

Andaj nëse këto deklarata qëndrojnë, problemi i furnizimit me energji elektrike mund të zgjidhet me sukses duke rinovuar dhe rivitalizuar rrjetin elektroenergjetik, nëpërmjet angazhimit me kohë dhe më serioz të KOSTT dhe KEDS, e që unë besojë se është edhe një problem struktural që kërkon një reformë më të thellë në gjithë sektorin energjetik, në mënyrë që qytetarët dhe konsumatori të kenë furnizim të rregullt dhe të mjaftueshëm me energji elektrike, në të gjitha stinët, e veçanërisht në dimër kur jo vetëm kërkesat janë më të mëdha, por edhe nevojat për furnizim të rregullt janë më të domosdoshme, për ndriçim, ngrohje dhe furnizim me ujë.

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë ka thënë se shqetësimet për gjendjen janë përcjellë tek operatorët KOSTT dhe KEDS, prej të cilëve është kërkuar përkushtim në terren për të sanuar prishjet dhe që të ketë komunikim sa më të qartë dhe të shpeshtë me qytetarët, si dhe finalizimin me urgjencë të punimeve në nënstacionin e ri të Ferizajt, meqë do të zgjidhte problemin për këtë qytet dhe vendet përreth.

E krahas përcjelljes së shqetësimeve dhe kërkesave tek operatorët e rrjetit, KOSTT Dhe KEDS, për angazhim maksimal në disa drejtime, përkushtimit në terren për prishjet, komunikim të qartë e të shpeshtë me qytetarët dhe finalizim me urgjencë të punimeve në nënstacionin e ri të Ferizajt që do të zgjidh problemin për këtë qytet dhe për vende të tjera”, kryeministri Kurti ka lutur edhe qytetarët që në këto momente, ta racionalizojnë konsumin e energjisë elektrike sidomos nga ora 18:00 deri në mesnatë, në të mirë të sigurisë, e të furnizimit për vete dhe të mbarë vendit tonë”.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".