Sorensen vjen nga një shtet mik i shqiptarëve

Sorensen vjen nga një shtet mik i shqiptarëve
Sorensen vjen nga një shtet mik i shqiptarëve

Nue Oroshi

  • 30 January 2025 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Nue Oroshi

Sa i përket Petër Sorensenit, ai është një diplomat me një karrierë të gjatë në diplomaci prej rreth 30 vitesh dhe bart mbi supe shumë funksione të rëndësishme që ka kryer në shtetet e Evropës Juglindore. Një fakt pozitiv është se Sorensen vjen nga një shtet mik i shqiptarëve, siç është Danimarka, e cila e ka njohur Republikën e Kosovës, ndryshe nga Lajçaku që vinte nga Sllovakia, një shtet që nuk e ka njohur Republikën e Kosovës.

 

 

-Mendoj që qasja e Sorensenit do të jetë ndryshe. Por, edhe ai është i emëruar nga Bashkimi Evropian dhe ndjek politikën e përcaktuar nga ky institucion. Gjithsesi, Sorensen ka mundësi që t’i paraqesë disa ide të tij rreth dialogut, të cilat mund të bëhen pjesë e politikës së Bashkimit Evropian.

E rëndësishme është që politika e Republikës së Kosovës të shkojë e përgatitur në bisedime. Qeveria e dalë pas 9 shkurtit 2025 duhet të emërojë profesorë nga lëmi të caktuara, që do të paraqesin argumentet qoftë në aspektin politik, historik apo ekonomik për Republikën e Kosovës.

Besoj që në këtë drejtim Kosova ka kuadro të mjaftueshme, por që fatkeqësisht nuk konsultohen nga politika. Kryeministri, pavarësisht se kush do të jetë ai, duhet të jetë menaxher i mirë. Megjithatë, kur të flitet për histori duhet të flasin historianët, për çështjet e drejtësisë duhet të flasin juristët, për ekonomi të flasin ekonomistët, për diplomaci njohësit e politikave ndërkombëtare, e kështu me radhë.

Vetëm kuadrot e përgatitura mund ta mbrojnë me përkushtim të drejtën e Republikës së Kosovës në të gjitha sektorët.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".