
Lexoni edhe:
Votat e mërgatës, në rezultatin përfundimtar mund të luajë një mandat më shumë apo më pak
Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj
Nga rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 9 shkurtit, Vetëvendosje doli parti e parë, me një diferencë, pothuajse, gati të dyfishtë nga partia e dytë, PDK, edhe më shumë nga partia e tretë, LDK. Ndonëse fushata e partive të tjera ishte më e hershme dhe zgjati gati tre muaj, një shkelje e vrazhdë ligjore të afatit të përcaktuar kohor, prej një muaji, më shumë se fushatë, ishte - maskaradë! Për rrjedhojë, u humbën, panevojshëm, shumë ditë pune; transporte të anëtarësive në tubime nëpër komuna të tjera; shpenzime enorme për afishime agjitative të kushtueshme, anëpërtej Kosovës.
-Pozicionimet opozitë-pozitë kanë dhënë shenjat e para për një ngërç, krizë qeveritare. Kjo ndodh për faktin se Vetëvendosje, e mësuar me qenë e vetme në qeverisje sovrane, pretendon të mjaftohet me aleatët në koalicionin parazgjedhor, respektivisht, subjektin politik "GUXO" dhe "ALTERNATIVA". Megjithatë, nga shifrat aktuale të publikuara, rezulton se ende nuk është arritur kuota e nevojshme e deputetëve për kompozimin e qeverisë së re nga LVV.
Rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit ka befasuar opozitën humbëse. Sepse shpifjet, denigrimet, sharjet e opozitës, sidomos të asaj PAN-iste, PDK-AAK-NISMA, së bashku me shumë analistë, më saktë, banalistë të paguar majmë, të cilët mungesën e fakteve e kompensojnë me britmat çjerrëse, deri në rrugaçëri, duke torturuar popullin e Kosovës dhe shqiptarët e përbotshëm, çdo mbrëmje me reprizën ditore të nesërmen. Kjo opozitë, abuzive e pushtetit dhe rrënuese e Kosovës, për dy dekada radhazi, e përjetoi rëndë 14 shkurtin e 2021. Andaj, luftoi, pa zgjedhur mjete, për rikthimin në pushtet, pa bërë asnjë reformë.
Me akuzat shpifëse kundër kryeministrit Kurti, kërkoi ndihmën e ndërkombëtarëve dhe realizoi vënien e sanksioneve për Kosovën. Njëkohësisht, veprimet e Qeverisë së LVV për shtrirjen e sovranitetit në veriun e Kosovës, i konsideronin si provokim të serbëve, duke e krahasuar Kurtin me Millosheviçin. Dhe, këtë e thonin dhe e përsërisnin shumica e analistëve, argatë të Baton Haxhiut dhe të Berat Buzhalës me shokë. Rrjedhimisht, opozita e PAN-it u bë palë me Serbinë, vetëm për ta hequr qafe Albin Kurtin! Polarizimet në vijimësi, me akuza dhe kundra akuza, për argatë e spiunë të Serbisë dhe, si kundërpërgjigje, është përdorur edhe zhargoni pezhorativ - hajvana -, referuar krerëve partiakë, me eksponentët e tyre, kanë acaruar marrëdhëniet, deri në përjashtim të koalicioneve të ndonjërës nga partitë e opozitës me Vetëvendosjen.
LVV, me komunitetet pakicë, i afrohet kuotës së nevojshme prej 61 deputetëve, por, megjithatë, aktualisht, ende nuk e arrin krijimin e qeverisë. Kurti me shokë është entuziast dhe ngulmon se do të qeverisë me dy aleatët e tij të koalicionit parazgjedhor. Shpresat janë edhe tek votat e Mërgatës, të votuesve me nevoja të veçanta dhe ato me kusht. Arma e fundit është joshja e ndonjë deputeti nga opozita, siç ka ndodhur me Donikë Kadaj dhe Albenë Reshitaj, që votuan Presidenten Vjosë Osmani. Megjithatë, qeveritë e brishta në numër, nuk garantojnë perspektivë të qëndrueshme dhe mund të shembën edhe me erën e lehtë-puhizë.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".