Çështja e bisedimeve Kosovë-Serbi, në duart e ndërmjetësuesve evropian

Çështja e bisedimeve Kosovë-Serbi, në duart e ndërmjetësuesve evropian
Çështja e bisedimeve Kosovë-Serbi, në duart e ndërmjetësuesve evropian

Gani Qarri

  • 20 February 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Me rikthimin e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, gjërat në aspektin global, kanë filluar të ndryshojnë menjëherë dhe atë për 360 shkallë, ndaj dhe përshtypjet e para tregojnë qartë, se edhe çështjet e pazgjidhura deri më tani, në rajon e më gjerë, mund të lëvizin më shpejt, gjithandej që nga lufta Rusi-Ukrainë deri te bisedimet Kosovë Serbi.

 

-Në fakt, siç dihet tanimë nga të gjithë bisedimet Kosovë-Serbi, kanë hy në dekadën e dytë, por për shkak të mosinteresimit të Serbisë për të arritur marrëveshje dhe normalizuar marrëdhëniet me Kosovën, me veprimet e saj, në vijimësi destabilizuese, nuk kemi as sot, e asaj dite, ndonjë rezultat konkret mes dy palëve, ndaj dhe është koha që të veprohet në mënyrën e duhur dhe pa e rënduar as kërcënuar Kosovën, për ndryshimin e gjendjes.

Kështu që edhe çështje e ngecjes së bisedimeve Kosovë-Serbi, sidomos pas rizgjedhjes së Donald Trumpit president i SHBA-ve dhe emërimit të zonjës Kaja Kallas në vend të Borellit dhe zotit Sorensen si pasues i Lajçakut, është shndërruar në temë mjaft të diskutueshme në Kosovë dhe te ndërkombëtarët, akt që ka ringjallur diskutimet se ky vit mund të jetë-vit i marrëveshjes finale, gjë që unë dyshojë, se vërtetë edhe mund të ndodhë realisht.

Ajo që aktualisht, konsiderohet shpresëdhënëse për Kosovën, derisa të dy palët, pritet të përballen me presione të shtuara nga SHBA dhe Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve, është letra e presidentit Trump dërguar presidentes së Kosovës dr.Vjosa Osmani me urimin e veçantë, përmbajtjen e fuqishme dhe shumë domethënëse, në të cilën Trump nga pozita e presidentit të SHBA-ve, Kosovën e quan shtet-partner të qëndrueshëm kurse popullin e Kosovës komb të vendosur.

Një theksim të tillë domethënës, deri më tani nuk e ka shprehur në mënyrë kaq eksplicite asnjë president amerikan, apo i ndonjë shteti tjetër të fuqishëm botëror, për një popull kaq të vogël dhe vend të ri, ende në shtetndërtim, të çliruar para 25 vitesh dhe të shpallur vetëm para 17 viteve, shtet të pavarur e sovran, siç është rasti me Republikën e Kosovës, si dhe ardhja në krye të politikës së jashtme të BE-së së zonjës Kaja Kallas dhe z. Sorensen ndërmjetësues i ri i bisedimeve, nga Bashkimi Evropian.

E derisa të dyja palët, do të përballen me presion në rritje, si nga Bashkimi Evropian, ashtu edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për normalizimin e marrëdhënieve, pritet që edhe inskenimet e orkestruara nga Serbia për bllokada dhe pengimin e përparimit në bisedime do të shuhen ngadalë, pikërisht nga presioni i vendosur i SHBA-ve dhe ardhja e ndërmjetësve të rinj evropian.

Madje në një bisedë të përbashkët me grupin "Redaksia Evropiane”, në të cilën marrin pjesë mese 20 agjenci evropiane të lajmeve, për fat të mirë, janë dëgjuar kritika të mëdha mbi formatin e deritashëm të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndaj vet zonja Kaja Kallas, ka deklaruar ndryshimin e politikave të paraardhësve, të cilat kanë quar në bllokadë totale të bisedimeve, dhe propozuar një qasje më ndryshe që respekton sovranitetin e Kosovës dhe trajton në mënyrë të barabartë palët dialoguese, gjë që kryeministri Kurti, e ka kërkuar dhe insistuar në vijimësi.

Shto kësaj faktin tjetër se megjithëqë për shkaqe të ndryshme, aktualisht të dy vendet, ndodhen në një krizë të thellë të brendshme politike, Serbia me demonstratat e fuqishme qytetare, të cilat po zgjasin dhe vazhdojnë tash e mese 4 muaj, kurse në Kosovë ende vazhdon numërimi i votave, ku nuk dihet saktësisht forca dhe konstalacioni i qeverisë së ardhshme, e cila duket se nuk do të jetë fort e qëndrueshme dhe për kohë të gjatë stabile, shkaku i mospajtimeve politike pozitë-opozitë, Emisari special i BE-s për dialogun Kosovë - Serbi, Peter Sorensen, po e merr përsipër detyrën në kohë mjaft kritike.

Kështu që edhe pritet, të ketë një mision të vështirë, veçanërisht kur dihen lojërat e njohura të Serbisë, letra e ish kryeministres serbe Ana Bërnabiç, dërguar BE-së qysh në dhjetor të vitit 2023, se nuk e pranon marrëveshjen e arritur në Bruksel, e cila as që është tërhequr dhe paqartësitë e theksuara, për llojin e marrëveshjes që mund të arrihet në të ardhmen, ndërmjet të dy vendeve, prej nga është tërhequr njohja reciproke, dhe futur asociacioni, si pykë ndarëse, që nuk garanton asnjë perspektivë, nëse tentohet ti imponohet njëanshëm, si padrejtësia e radhës, Kosovës.

Shto gjithë kësaj shqetësimet e ngritura me vend nga analisti e Profesori i Universitetit Johns Hopkins dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Daniel Serwer, mbi ndryshimet që administrata Trump po planifikon të ndërmarr në politikën e jashtme, veçanërisht në raport me Ukrainën dhe Evropën, në përpjekjet e Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës gati trevjeçare në Ukrainë, mënyra të veprimit, që kanë tronditur qarqet diplomatike në Kiev dhe Evropë, i cili thotë se Serbia do të përpiqet ta shfrytëzoj situatën e paqartë aktuale, që të gllabëroj territor edhe me forcë, nga Bosnja e Kosova në rast të ndarjes së Ukrainës, siç ka propozuar Pete Hegseth!

Por në këtë rast, duhet sqaruar për lexuesit dhe qytetarët e respektuar të vendit tonë, se për dallim nga Ukraina, çështja e bisedimeve Kosovë-Serbi, ndodhet në duart e ndërmjetësuesve evropian, ku Kosova përfaqëson veten, në bisedimet mbi një dekadëshe Kosovë-Serbi, zonja Kaja Kallas vjen nga Estonia një vend i çliruar vetëm në vitin 1991, apo pak më tepër se tre dekada më parë, nga perandoria ruso-sovjetike si dhe duke qenë se e ndanë një kufi me te, është dhe mbetet në mënyrë permanente e kërcënuar dhe rrezikuar nga Rusia, dhe sot e kësaj dite, vetëm fal anëtarësimit të saj në NATO, Estonia ka të garantuar mbrojtjen dhe sovranitetin, nga pretendimet e vazhdueshme ruse.

Po ashtu edhe z. Peter Sorensen është diplomat i mirënjohur danez, me përvojë të gjatë në Ballkan, vendet e ish federatës jugosllave dhe në Kosovë, nga i cili pritet qëndrim i sinqert dhe ndërmjetësim pa anime ndaj Serbisë, siç bënte ish ndërmjetësuesi kontrovers sllovak Mirosllav Lajçak, duke quar me njëanshmëritë perfide dhe mbështetjen e hapur publike të tij ndaj Serbisë, në pakënaqësi dhe bllokadën totale të dialogut Kosovë-Serbi.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".