Zhgënjimin ta kthejmë në forcë për ndryshim!

Zhgënjimin ta kthejmë në forcë për ndryshim!
Zhgënjimin ta kthejmë në forcë për ndryshim!

Florim Zeqa

  • 21 February 2025 - 08:14

Shkruan: Florim Zeqa

Jam nga ata që e kanë pritur një rezultat më të mirë zgjedhor të LDK-së. Këtë e dinë disa nga miqt me të cilët kemi komunikuar gjatë fushatës zgjedhore, të cilëve ua kam thënë se LDK-ja do të ngritet deri në 20 % e jo më lartë, por, për fat të keq mbeti edhe më poshtë se kaq!

50 % e elektoratit pasiv që nuk po del në zgjedhje janë ish elektorat i LDK-së rugoviane

Edhe pse isha i zhgënjyer me përpilimin e listës zgjedhore, heshta përgjatë parafushatës dhe fushatës zgjedhore, me të vetmin qëllim që mos ta dëmtojë partinë e zemrës time-ish LDK-në rugoviane!

Mirëpo, pas debaklit zgjedhor, duhet të ngrihet fuqishëm zëri i të gjithë ish veprimtarëve dhe aktivistëve të LDK-së, të larguar dhe anashkaluar pamëshirshëm nga grupet e interesit dhe matrapazët politikë!

Duhet të bien fuqishëm këmbanat e alarmit për elektoratin rugovian të LDK-së, që të ngrihen të gjithë me kërkesën për rimëkëmbjen e partisë shtetformuese.

Ngritja e LDK-së është e mundur vetëm përmes fillimit të një procesi të ndryshimit substancial, përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike brenda partisë e jo sikurse deri më tani me lista të mbyllura dhe me aklamacion!

Të gjithë në Kosovë e dinë se mbi 50 % e elektoratit pasiv që nuk po del në zgjedhje janë ish elektorat i LDK-së rugoviane, të zhgënjyer me kapjen e partisë nga grupet e interesit, nga matrapazët dhe mërcenarët, nga parashutistët dhe kontrabandistët e votës së lirë të qytetarëve.

Dy dekada të humbura janë shumë për LDK-në

Subjekti politik i cili për dy dekada nuk arrin ta shijojë asnjë fitore në zgjedhjet nacionale duhet të reformohet shpejt, në mënyrë substanciale dhe përmbajtësore e jo të mbahet me infuzion (me mercenarë të importuar nga partiitë e tjera) nga njëra palë zgjedhje në tjetrën!

Në demokraci nuk është tragjike mbetja në opozitë për një mandat politik dhe as nuk është tragjike e të qënurit partia e dytë, por është tragjike për një subjekt të traditës demokratike që në dy palë zgjedhje rresht të ngelet partia e tretë dhe të mos jepë llogari askush për këtë dështim!

Mungesa e (pa) përgjegjësisë politike do ta dëmtojë akoma më shumë LDK-në!

Për këto dy dekada të humbjeve serike të LDK-së disa herë jam zhgënjyer, por e kam rimarrë veten, por kësaj radhe jam zhgënjyer aq keq saqë vetëm një iniciativë e mirë dhe e shëndoshë reformuese do të më bëjë të shpresoj për një të neserme më të mirë të LDK-së!

Të dashur anëtarë dhe simpatizant të LDK-së, kudo që jeni, në Kosovë dhe në Diasporë, e di që jeni edhe më të zhgënjyer sesa unë me rezultatin zgjedhor. Nëse dëshironi që kjo të mos na përseritet më, duhet të ngrihemi të gjithë në mbrojtje të LDK-së nga shkatërrimi sistematik i grupeve të interesit, ngase nesër mund të bëhet tepër vonë siq ishte vonë për zgjedhjet e 9 shkurtit!

 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".