Prania e Rutte-s në Kosovë, ndikon si një presion për formimin e qeverisë

Prania e Rutte-s në Kosovë, ndikon si një presion për formimin e qeverisë
Prania e Rutte-s në Kosovë, ndikon si një presion për formimin e qeverisë

Arsim Aziri

  • 13 March 2025 - 07:40

Shkruan: ANALISTI-Arsim Aziri

Duke qenë në dijeni se situata politike sikur po ndryshon gjithkah, veçanërisht me ardhjen e presidentit Trump, Evropa ka rënë në angazhime emergjente për ndryshimin e kahjes që ka ndjekur dhe promovuar, e që është ndërtimi i marrëdhënieve progresive ndërmjet shteteve dhe afirmimi i paqes. Ndonëse jo në mënyrë të njëjtë, kjo ka qenë edhe thirrja qysh prej kohës së themelimit. 

 


-Sot, ky kontinent gjendet në një situatë të palakmueshme, dhe ardhja e këtij momentumi e ka zgjuar nga gjumi dogmatik, duke çuar në ndarje të politikave më të forta dhe që kanë për mision elementin mbrojtës.Dhe, krahas kësaj gjendjeje, shteti ynë, që është në zhvillim e sipër, përfshirë edhe ato shtete që janë në hapa minor, është me më shumë interes për Evropën që të mos jenë vatra të ndonjë konflikti prej shteteve fqinje. E vlerësoj faktorin evropian për angazhimin që ndajnë për Kosovën, që jo gjithherë ka qenë i drejtë, ama të paktën kanë ndarë kohë për ngritjen e vendit, veçanërisht Gjermania.


Mendoj se prania e evropianëve këtu, përfshirë edhe faktorë relevantë të NATO-s, specifikisht Sekretarin Mark Rutte, normalisht që bën presion të pranueshëm për formimin e qeverisë dhe nxitjen progresive të çështjeve që kanë mbetur në gjysmë, madje edhe çështjen e negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që njëherë e mirë të përmbyllet kjo çështje dhe të mos zgjojë ndonjë vatër krize, për të cilën paralajmërimet po bëhen në mënyrë të përditshme.
Realisht, ndryshimi i rendit aktual ka bërë që të ngrihen në pretendime disa shtete që veçse njihen për motive ekspansioniste, përfshirë Rusinë në një anë dhe Serbinë në Ballkanin Perëndimor. Prandaj, kemi edhe urgjenca sa i përket qetësisë ndërmjet shteteve. Kosova, konsideroj se nuk do ta ketë të lehtë rrugën drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe NATO-n, duke qenë në dijeni për kushtet e mëdha që duhet të plotësojë: kritere politike, ushtarake dhe ekonomike, po ashtu edhe kritere ligjore dhe procedurale.


Vetëm pasi një vend i plotëson këto kushte, ai ftohet për të filluar negociatat dhe përfundimisht bëhet anëtar pas ratifikimit nga të gjithë anëtarët ekzistues. Kosova është në hapa të mirë dhe të drejtë, ama kjo merr kohë dhe angazhime. Megjithatë, momentet aktuale që janë krijuar në botë kanë shkaktuar çështje të tjera.
Ama ne si vend duhet t’i kontribuojmë paqes dhe zhvillimit, por mbi të gjitha, angazhimin për vendin ta kemi në nivel të lartë, pasi lëvizjet e fundit globale kanë rikujtuar se fuqizimi i brendshëm është nevojë imediate dhe çështje emergjente e kohës.


Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".