Gjithçka rreth syrit të keq
Nëse dyshoni në këtë, mjafton që ta shikoni me ngulm dikë në pjesën e prapme të kokës (dikë që gjendet para jush). Nëse ai e kthen kokën dhe ju shikon, kjo d.m.th. se keni energji të mjaftueshme dhe duhet të jeni të kujdesshëm, meqë pa dashje mund ta prishni harmoninë e brendshme të ndokujt, sidomos të dikujt që është i sëmurë, i lodhur, apo në depresion, meqë në raste të tilla mbrojtja e brendshme e organizmit është e dëmtuar. Ky edhe është ai që në popull quhet syri i keq. Ekspertët e bioenergjisë mendojnë se shikimi është një armë tepër e rrezikshme. Me të, sipas tyre, mund të riprogramohet personi tjetër. Është parë se pjesa e syrit që quhet iris, është e lidhur me të gjitha organet e brendshme. Kështu, duke shikuar në sy jo vetëm që mund të dihet gjendja e organeve të brendshme, por mundet edhe të ndikohet në to.
A kemi të bëjmë këtu me telepati? Ndoshta kanë të drejtë ata që thonë se, me anë të shikimit, mund të ndryshohet gjendja emocionale. Ata na bindin se me anë të shikimit mundemi jo vetëm ta qetësojmë apo zemërojmë ndokënd, por edhe ta vrasim. Te disa popuj qëmoti ekziston bindja se, njeriu i cili është në shtrat të vdekjes, në vete posedon një energji kolosale, e cila mund t'i dëmtojë ata që e shikojnë atë. Për këtë shkak të dënuarve me vdekje iu lidhen sytë. Për këtë shkak edhe të vdekurve ua mbyllin gjithsesi sytë. Eksperimentet shkencore Shkencëtarët nga Universiteti "Queens" kishin vendosur ta bënin një eksperiment rreth asaj se a ekziston me të vërtetë fuqia e syrit të keq, apo jo. Në këtë studim kishin marrë pjesë me qindra vullnetarë. Secili prej tyre ulej në mes të dhomës, e personi tjetër, në një moment të caktuar, e shikonte personin tjetër në zverk. Në 95% të rasteve është parë se shikimi i tjerëve ndihet fuqishëm. Shikimi i tjetrit përshkruhej si presion i vogël në kokë. Nga historia Historia është plot dëshmi rreth vdekjes misterioze të njerëzve dhe ngordhjes së kafshëve si pasojë e syrit të keq. Plinius Plaku (viti 23-79 para erës së re) ka shkruar për këtë rreth 2000 vjet më parë, e për këtë dëshmojnë edhe kronikat mesjetare. Që në vitin 1880, stërvitësi i njohur Durov kishte bërë eksperimente në kafshë. Ai mendonte se shikimi i njeriut ka ndikim vendimtar, sidomos nëse shikimi fiksohet te sytë, apo sikur që thoshte stërvitësi, më thellë se sytë, në trurin e kafshës. Ka shumë dëshmi se disa njerëz kanë "shikim magjik". Në librin "Sekrete dhe e panjohur", të botuar në vitin 1904, autori I.
Kupchinsky flet për një të njohur të tij nga Krimeja, i cili sa herë që kalonte afër pulave, i mbyllte sytë. Ai e bënte këtë sepse, sa herë që shikonte pulat me ngulm, ato ngordhnin. Sekreti i syrit të majtë Syri i majtë te shumica e kafshëve, por edhe te njerëzit, është më i ndjeshëm ndaj pranimit të informatave të huaja, sesa syri i djathtë. Tani është dëshmuar se edhe në art ekziston "parimi i syrit të majtë". Këtë e zbuloi kërkuesi shkencor Christopher Tyler me rastin e analizimit të portreteve të mjeshtërve të njohur të pikturës. Në të shumtën e rasteve, intuitivisht, piktorët e vendosin syrin e majtë të personit të portretizuar në qendër të pikturës. Bebet, më të ndjeshmet Që të gjithë ne kemi dëgjuar se fëmijët, por veçanërisht bebet, janë më të ndjeshme ndaj mësyshit. Sipas ekspertëve të bioenergjisë, kjo shpjegohet me faktin se bebet ende nuk e kanë të zhvilluar aurën mbrojtëse. Për këtë shkak preferohet që bebja, derisa ta mbushë një vit, të mos ekspozohet shumë ndaj shikimeve të personave të huaj, sidomos kur fle (me ç'rast nënat dhe gjyshet tona mbulonin fytyrën e bebes me shami), meqë atëherë mbrojtja e brendshme e bebes është edhe më e dobët.
(Kosova Sot Online)