NASA njoftoi dy misione të reja në planetin Afërditë, pas disa dekadash
Agjencia hapësinore amerikane, NASA, njoftoi të mërkurën se do të nisë dy misione të reja shkencore në planetin Afërditë gjatë viteve 2028 -2030. Kjo iniciativë vjen pas dekadash, ndërsa sipas NASA-s do të studiohet atmosfera dhe historia gjeologjike e fqinjit më të afërt planetar të Tokës.
Agjencia hapësinore amerikane tha se do të jepte 500 milionë dollarë për zhvillimin e secilit prej dy misioneve. Misionit të parë në planetin Afërditë i është vendosur emri “Davinci +”, ndërsa misioni i dytë do të mbajë emrin “Veritas”.
Sipas NASA-s me misionin “Davinci +” synohet të studiohet përbërja e atmosferës së dendur në këtë planet për të kuptuar se si ka evoluar, ndërsa misioni “Veritas” do të studiojë sipërfaqen e planetit për të kuptuar historinë e tij gjeologjike dhe pse u zhvillua kaq ndryshe nga Toka.
Vizita e fundit e NASA-s në planetin Afërditë u bë 30 vite më parë me sondën “Magelani”.
Afërdita, me diametër prej rreth 12,000 km, është pak më e vogël se Toka. Ajo është planeti i dytë nga Dielli dhe fqinji më i afërt planetar i Tokës. Afërdita rrotullohet nga lindja në perëndim, ndryshe nga të gjithë planetët e tjerë në sistemin diellor përveç Uranit.
Afërdita ka ditën më të gjatë se çdo planet tjetër i sistemit diellor. Ajo e kryen një rrotullim në 243 ditë të Tokës. Përveç Diellit dhe Hënës, Afërdita është objekti më i ndritshëm në qiellin e natës. Ajo e merr emrin (Venus) nga perëndesha romake e dashurisë dhe bukurisë.
Atmosfera e saj e trashë bllokon nxehtësinë, si në efektin serrë dhe kjo e bën planetin më të nxehtë të sistemit diellor. Temperaturat e sipërfaqes arrijnë në 471 gradë Celsius, aq sa mund të shkrijnë edhe plumbin.
Por, në nivelin ku qëndrojnë retë e saj me përbërje të fordë acide, rreth 50 km mbi sipërfaqe, temperaturat janë shumë më të buta. Atmosfera e planetit përbëhet kryesisht nga dioksidi i karbonit, ndërsa retë nga acidi sulfurik.
Shkencëtarët besojnë se Afërdita shumë kohë më parë mund të ketë patur kushte të favorshme për të lejuar evolucionin e organizmave të gjalla, edhe pse sipërfaqja e saj tani shihet si tërësisht e pajetueshme.
(Kosova Sot Online)