Rusia fajëson një difekt programi për incidentin në Stacionin Ndëkombëtar të Hapësirës
Një zyrtar rus i hapësirës tha se një difekt në programin kompjuterik ishte fajtor për ndryshimin e pozicionit të Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës, të shkaktuar nga ankorimi i një laboratori shkencor i dërguar së fundmi.
Stacioni Hapësinor humbi kontrollin e orientimit të tij për 47 minuta të enjten, kur laboratori shkencor rus “Nauka” ndezi aksidentalisht pajisjet e presionit disa orë pas ankorimit. Pozicioni i stacionit është kyç për furnizimin e tij me energji nga panelet diellore dhe për komunim me ekipet mbështetëse të hapësirës në Tokë. Komunikimet e stacionit hapësinor me ekipet tokësore, u ndërprenë dy herë për disa minuta të enjten.
Vladimir Solovyov, drejtor i fluturimit të segmentit rus të stacionit hapësinor, fajësoi një “dështim afatshkurtër të programit” për incidentin. Përmes një deklarate të publikuar të premten nga agjencia ruse e hapësirës, Roscosmos, zoti Solovyov tha se shkak i dështimit është zbatimi i gabuar i një urdhëri të drejtpërdrejtë për ndezjen e motorëve të laboratorit.
Ai shtoi se u desh shfrytëzimi i presionit nga një komponent tjetër rus për të kthyer stacionin në drejtim normal dhe në funksion të rregullt.
Drejtori i “Roscosmos” Dmitry Rogozin më vonë tha se “faktori njeri” mund të ketë luajtur rol në këtë rast.
“Ishte një eufori e madhe (pas mbërritjes së suksesshme të Naukës në stacionin hapësinor, njerëzit u relaksuan në një farë mase”, tha ai në një intervistë. “Ndoshta një nga operatorët nuk e kishte llogaritur kohën e përshtatjes së sistemit. Dhe e kuptoi atë tre orë pas ankorimit, duke ndezur motorët”.
NASA tha të enjten se incidenti lëvizi stacionin për 45 gradë nga pozicioni i duhur, por kompleksi nuk u rrotullua dhe nuk u shënua ndonjë dëmtim i menjëhershëm dhe rrezik për stafin.
Incidenti detyroi agjencinë NASA të shtyjë provën e dytë të fluturimit të kapsulës së re të Boeing-ut, që ishte planifikur për pasditen e së premtes nga Florida. Kjo është përpjekja e dytë e Boeing-ut për të arritur në stacionin e lartë prej 400 kilometrash para futjes së astronautëve në bord. Problemet e programit shkaktuan dështimin e provës së parë.
Laboratori rus që peshon 22-tonë i quajtur Nauka arriti në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës të enjten herët, tetë ditë pas nisjes nga pika ruse e lëshimit në Baikonur të Kazakistanit.
Nisja e Naukës, e cila krijon më shumë mundësi për eksperimente shkencore dhe zgjeron hapësirën e ekuipazhit, ishte vonuar për shkak të problemeve teknike. Fillimisht ngjitja e saj ishte planifikuar më 2007.
Më 2013, eksperët u përballën me ndotje në sistemin e tij të karburanitit, që u pasua me riparime të kushtueshme që morën shumë kohë.
Me një gjatësi prej 13 metrash, Nauka është pjesa e parë e re që i shtohet segmentit rus që nga viti 2010. Të hënën, një nga njësitë më të vjetra ruse, u zbarkua nga stacioni për të liruar hapësirë për laboratorin e ri.
Futja në funksion të plotë e laboratorit Nauka do të kërkojë shumë manovra, duke përfshirë deri në 11 ecje në hapësirë që pritet të fillojnë në shtator.
Sipas zotit Solovyov, të premten ekuipazhi ishte i zënë me rregullimin e presionit në Nauka ndërsa planifikonte çeljen e portës së laboratorit më vonë gjatë ditës.
Aktualisht, stacioni hapësinor operaohet nga astronautët e NASA-s, Mark Vande Hei, Shane Kimbrough dhe Megan Mc Arthur; Oleg Novitsky dhe Pyots Dubros nga korporata hapësinore ruse Roscosmos; Astronauti Akihiko Hodhide nga Agjencia Japoneze e Hulumitmit Hapësinor dhe astronauti i Agjencisë Evropiane të Hapësirës Thomas Pesquet.
(Kosova Sot Online)