NASA studim për mbrojtjen e deltës së lumit Misisipi
NASA është duke përdorur sisteme ajrore të teknologjisë së lartë, anije dhe pajisje të tjera për të studiuar deltën e lumit Misisipi në Luiziana. Një pjesë e deltës është e lidhur me në një lumë dhe po zgjerohet ndërsa pjesa tjetër është shkëputur dhe po zhduket. Studimi me një kosto prej 15 milionë dollarësh ka bashkuar disa universitete amerikane dhe shkencëtarë të NASA-s.
Këto janë ujërat misterioze të deltës së lumit Misisipi. Por ndoshta disa nga sekretet e tyre mund të zbulohen së shpejti. Shkencëtarët e NASA-s dhe të disa universiteteve nga Bostoni në Kaliforni, po hulumtojnë se cilat pjesë të këtyre grykëderdhjeve të tkurrura mund të shpëtohen e cilat jo.
Ata synojnë të krijojnë modele kompjuterike që mund të përdoren me të dhëna satelitore për të mundësuar që vendet në mbarë botën të analizojnë atë që po ndodh këtu.
NASA po studion rrjedhën e ujit brenda dhe jashtë pellgjeve Atchafalaya dhe Terrebonne të Luizianës, sedimentet e bartura, dhe bimët që mund të ngadalësojnë rrjedhën, ndalojnë sedimentet dhe thithin karbonin nga ajri.
Robert Twilley është profesor i oqeanografisë dhe shkencave bregdetare në Universitetin Shtetëror të Luizianës.
“Ky është një nga laboratorët më të mirë në botë për të studiuar se si rriten deltat e lumenjve. Ndikimi i sedimenteve dhe bimësisë, fazat e rrjedhës së lumit dhe ndërveprimet me baticat dhe zbaticat si dhe ndikimi i uraganeve. Këto janë pjesë të enigmës për të kuptuar deltat e lumenjve.”
Bashkëpunimi me NASA-n ka zgjeruar hapësirën kërkimore për profesorin Robert Twilley të Universitetit Shtetëror të Luizianës. Ai thotë se bashkimi i forcave me shkencëtarët e NASA-s ofron mundësitë për të kuptuar më mirë se si funksionojnë deltat e lumenjve.
Luiziana ka 40% të tokave moçalore të vendit. Ato po zhduken me shpejtësi dhe mbi 5 mijë kilometra katrorë të shtetit janë zhdukur që nga vitet 1930.
Shkencëtari i NASA-s, Marc Simard, thotë se ndërsa niveli i oqeaneve rritet për shkak të ndryshimeve klimatike, deltat e lumenjve nëpër botë – strehë e botës nënujore dhe e më shumë se 300 milion njerëzve - po fundosen dhe po tkurren.
Simard është shkencëtar në Laboratorin e NASA-s në Institutin Teknologjik të Kalifornisë. Tre aeroplanë, thotë ai, fluturojnë njëkohësisht mbi pellgjet në Luiziana duke bërë majtje. Aeroplanët mbledhin të dhëna të tilla si lartësia e ujit, pjerrësia, sedimentet dhe dendësia e bimëve nënujore.
“Përmes këtyre matjeve të ndryshme ne mund të kuptojmë sasinë e sedimenteve në ujë, për të kuptuar se ku shkon uji, pra ku përfundojnë këto sedimente”, thotë zoti Simard.
Vitin e ardhshëm është planifikuar lëshimi i dy satelitëve ndërkombëtarë, që mbartin dy lloje radarësh të përdorur mbi Luizianë.
Ujrat nga 31 shtete amerikane derdhen në lumin Misisipi dhe krijojnë një pellg kullimi me një sipërfaqe mbi 3 milionë e 224 mijë kilometra katrore. Lumi Misisipi mbledh 41% të sedimenteve ose 150 milionë tonë në vit.
Si rezultat i pritave për parandalimin e përmbytjeve, pjesa më e madhe e sedimenteve derdhet në Gjirin e Meksikës, në vend që të shpërndahet nëpër moçale.
Luiziana po shqyrton dy projekte që do të devijonin sedimentet e lumit Atchafalaya për të zgjeruar tokën në pellgun Terrebonne. Vendimi pritet të merret në vitin 2022, sipas autoritetit shtetëror për restaurimin dhe ruajtjen e bregdetit.
(Kosova Sot Online)