NASA shfaq imazhin më të thellë me ngjyra të galaktikave më të largëta të universit

  • E. /
  • 12 July 2022 - 09:49
NASA shfaq imazhin më të thellë me ngjyra të galaktikave më të largëta të universit

Teleskopi Hapësinor James Webb ka prodhuar imazhin më të thellë dhe më të mprehtë përmes teknologjisë që bën matjen e temperaturës së një objekti të njohur si Infrared të universit më të largët të njohur deri më sot. I njohur si Fusha e Parë e Thellë e Webb-it, ky imazh i grumbullit të galaktikave SMACS 0723 është i tejmbushur me detaje, njofton Agjencia Amerikane e Hapësirës(NASA).

Mijëra galaktika – duke përfshirë objektet më të zbehta të vëzhguara ndonjëherë me anë të Infrared – janë shfaqur në pamjen e teleskopit Webb për herë të parë. Kjo pjesë e universit të gjerë mbulon një copë qielli afërsisht sa një kokërr rëre e mbajtur në gjatësinë e krahut nga dikush në tokë.

Kjo fushë e thellë, e kapur nga kamera (NIRCam), që kap dritën nga yjet dhe galaksitë më të hershme të formuara është një përbërje e bërë nga imazhe në gjatësi vale të ndryshme, që arrijnë gjithsej 12.5 orë – duke arritur thellësi në gjatësi vale infra të kuqe përtej fushave më të thella të Teleskopit Hapësinor Hubble, për të cilat u deshën javë të tëra.

Imazhi tregon grumbullin e galaktikave SMACS 0723 siç u shfaq 4.6 miliardë vjet më parë. Masa e kombinuar e këtij grumbulli galaktikash vepron si një lente gravitacionale, duke zmadhuar galaktikat shumë më të largëta pas saj.

NIRCam i Webb-it i ka sjellë ato galaktika të largëta në fokus të mprehtë – ato kanë struktura të vogla dhe të zbehta që nuk janë parë kurrë më parë, duke përfshirë grupimet e yjeve dhe veçoritë difuze. Studiuesit së shpejti do të fillojnë të mësojnë më shumë rreth masave, moshave, historive dhe përbërjeve të galaktikave, pasi Webb kërkon galaktikat më të hershme në univers.

(Kosova Sot Online)