Fëmija i hënës
Jua sjellim një tregim me të vërtetë të bukur paranormal. Kënaquni!
Ai nuk e dinte kush ishte dhe pse kishte ardhur. Ndonjëherë shikonte nga dritarja, sikur të donte të ishte diku tjetër. Ai kishte vetëm pesë vjet dhe nuk e kishte idenë se ajo ishte e vdekur. Ai e priste atë çdo natë, i ulur në shtrat dhe duke dëgjuar me vëmendje. Vetëm pasi që prindërit e tij fillonin që të gërhitnin në dhomën poshtë, paraqitej ajo pranë shtratit të tij. Për dikë të asaj moshe, Liam gëzohej tej mase kur e ëma i thoshte se duhej të binte në gjumë. Prindërve të tij nuk iu kishte bërë përshtypje insistimi i Liamit, që i ati të mos ia lexonte përrallën për natën e mirë, meqë "tani ishte bërë gati burrë". Të njëjtin arsyetim ai e përdorte edhe kur i thoshte të ëmës që ta linte të flinte me derën mbyllur dhe me dritën e fikur. Ai i thoshte së ëmës se i mjaftonte drita e Hënës. "Gjumin e ëmbël, fëmijë i Hënës", i thoshte e ëma duke buzëqeshur. Më pas ai i mbyllte sytë, meqë e dinte se ajo nuk do të paraqitej sikur ai të shikonte. Ndoshta ajo kishte turp, apo nuk donte që ai ta merrte vesh nga vinte ajo. Ajo ishte mister për të.
Engjëlli
Kur hetonte se në pjesën e fundit, të këmbëve, të shtratit të tij paraqitej një peshë, ai e dinte se ajo kishte ardhur. Ai e quante atë engjëll, meqë i dukej se ngjante me një të tillë. ajo kishte flokë të gjata, shkëlqyese, të cilat sikur mbronin lëkurën e saj delikate. Sytë e saj nuk kishin ngjyrë. Dukej sikur vetë Hëna kishte hyrë në sytë e saj, duke vendosur që të mos dilte më kurrë. Liam kurrë nuk frikësohej në praninë e saj, meqë ajo sillte dritë me vete. Edhe pse drita ishte tepër e fortë, atij i pëlqente që ta shikonte atë. "A gjendet shtëpia jote në Hënë"?, e pyeti ai kur e hetoi se ia kishte ngulur sytë Hënës. Ajo vazhdimisht e kishte bërë këtë, qyshkur kishte filluar që ta vizitonte djalin, rreth tetë net më parë. Kur ajo nuk iu përgjigj, mendja e tij pesëvjeçare shkoi në një realitet tjetër. Në një botë ku gjendeshin vetëm ata të tre. Ai, ajo dhe Hëna e saj, gjatë pjesës tjetër të jetës së tyre në një botë aq të qetë dhe paqësore, saqë asgjë tjetër nuk kishte rëndësi. Kur mendja e tij u kthye në Tokë, Liam vërejti se engjëlli i tij ia kishte ngulur sytë. Ajo e shikonte me buzët e holla, në formë të një buzëqeshjeje të lehtë dhe me kokën pak të lakuar anash. "Kujdes me imagjinatën tënde, fëmijë i Hënës", i tha ajo, sikur të kishte parë atë që ai kishte ëndërruar pak më parë. "Edhe nëna më thërret ashtu", i tha ai, sikur ajo tanimë të mos e dinte një gjë të tillë. Në fakt, Engjëlli dinte çdo gjë, të paktën kështu i dukej Liamit. Dukej sikur ajo dinte çdo gjë për të e ai, edhe pse e kishte takuar gjatë tërë këtyre netëve, nuk dinte asgjë për të.
Takimi i fundit
Atë natë ai ra në një gjumë të thellë. Iu duk sikur sa hap e mbyll sytë u bë mëngjes. Sapo i hapi sytë, menjëherë i mbylli. Nuk donte që të shkonte në shkollë, ku e mësonin gjëra të ndryshme. Donte që sa më parë të vinte nata dhe të takohej me engjëllushen e tij. Në shkollë nuk kishte kohë që të ëndërronte me sy hapur. Sapo mbaroi darkën, Liam shkoi me turr në dhomën e gjumit. I gatshëm për engjëllushen e tij. Prindërit shkuan, por engjëlli nuk paraqitej. Liami filloi që të shqetësohej. Por, pak para se ta zinte gjumi, ajo u paraqit. "Nuk më paske harruar", tha ai me gëzim. "Kurrë nuk do të mund të të harroja", tha ajo dhe buzëqeshi këndshëm. Liami e pyeti sërish atë se kush ishte, e pyeti edhe gjëra rreth Hënës, por ajo nuk iu përgjigj. Por, derisa Liam ishte duke llomotitur, në një moment, ajo e ndërpreu. "Fëmijë i Hënës. Është bërë vonë. Më duhet të shkoj. Më nuk do të kthehem". Liami u ndie i pikëlluar, nuk mund të besonte se nuk do ta shihte më engjëllushen e vet. "Më merr me vete", filloi ai të lutej, derisa ajo e kapi për dore dhe e mori. Ai kishte vetëm pesë vjet kur zemra e tij pushoi së rrahuri. Duke e lënë trupin e tij të akullt, të pajetë, në shtratin e ngrohtë, djali shkoi me engjëllin, drejt dritës së Hënës.
(Kosova Sot Online)