Ja kush e shpiku dhe si e përgaditi recetën e parë të akullores!

  • 27 July 2024 - 10:17
Ja  kush e shpiku dhe si e përgaditi recetën e parë të akullores!

Ekonomitë e lulëzuara të qytete-shteteve italiane, dhe veçanërisht tregtia e tyre me vendet myslimane, i vendosi ato në një pozicion unik për të mbështetur këto ide. Kjo shpjegon edhe arsyen pse edhe sot e kësaj dite, Italia ka një traditë kaq të fortë të prodhimit të akullores, transmeton "Kosova Sot Online ".

E kush nuk e pëlqen akulloren? Por më pak e qartë është kush e shpiku atë. Ne nuk e dimë me siguri se si lindi akullorja. Evropianët provuan për herë të parë diçka që i ngjante akullores rreth viteve 1300. Eksploruesi i famshëm Marko Polo u kthye në Itali nga Kina me histori të aventurave dhe vendeve ekzotike. Ai solli me vete edhe recetën për një ëmbëlsirë që tani do ta quajmë sherbet. Akullorja moderne që të gjithë e njohim dhe e duam sot, ka të ngjarë të ketë evoluuar nga kjo recetë duke filluar që nga shekulli XVI-të. Por akullorja arriti në formën e saj përfundimtare gjatë shekullit XX-të falë shpikjes së frigoriferëve elektrikë. Akullorja nuk u shpik nga një person i vetëm, por është më tepër rezultat i një sërë kontribuesish nëpër kultura dhe shekuj të ndryshëm. Historia e akullores nis që në lashtësi. Persët e përzienin akullin me lëng rrushi, lëng frutash dhe shije të tjera të ëmbla për të bërë një ëmbëlsirë të ngjashme me akulloren e quajtur bastani që në vitin 500 Para Krishtit.

Ajo ëmbëlsirë kërkonte shumë punë dhe ishte shumë e shtrenjtë për t’u bërë, ndaj ishte një pjatë për shtresën e fisnikërisë dhe mbretërve. Më pas kjo lloj akulloreje u shndërrua në ëmbëlsirën tradicionale iraniane të ftohtë të quajtur faloodeh. Pas pushtimit mysliman të Persisë në vitin 651 Pas Krishtit, këtë pjatë e adoptoi edhe bota arabe.

Ishte një pjatë për shtresën e fisnikërisë dhe mbretërve. Më pas kjo lloj akulloreje u shndërrua në ëmbëlsirën tradicionale iraniane të ftohtë të quajtur faloodeh. Pas pushtimit mysliman të Persisë në vitin 651 Pas Krishtit, këtë pjatë e adoptoi edhe bota arabe.

Me gjasë përmes falangave të Aleksandrit të Madh që u kthyen në shtëpi nga fushatat e tyre ushtarake, akullorja u prezantua gradualisht në shoqëritë e hershme perëndimore, duke arritur deri në oborrin e Perandorit në Romë. Kronikat e asaj kohe tregojnë për “ushtritë e vrapuesve, të cilët bartnin akull nga malet në qytetet e mëdha romake gjatë verës”, gjë që tregon se sa e vlerësuar u bë akullorja në mesin e fisnikëve dhe perandorëve romakë. Perandori Neron ishte një adhurues i madh i kësaj ëmbëlsire. Edhe Kina kishte ëmbëlsirën e saj të akullt. Rreth vitit 200 Para Krishtit, njerëzit në Kinë shijonin një përzierje të thjeshtë qumështi dhe orizi, të paketuar në dëborë për ta ruajtur dhe ftohur. Ky produkt ishte një luks i kufizuar tek oborri mbretëror dhe shtresa e lartë, siç ishte rasti me ëmbëlsirat e ngjashme gjatë kohëve të lashta.

Gjatë sundimit të Dinastinë Tang (618-907 Pas Krishtit), nisi të merrte formë një version më i rafinuar i këtij trajtimi. Thuhet se mbreti Shang punësoi 94 “burra të akullit” për të krijuar një pjatë me qumësht bualli, miell dhe kamfor.

Ndërsa mund të tingëllojë më pak se e shijshme për shijet tona moderne, ajo ishte në fakt pararendëse e asaj që ne e njohim sot si akullore. Zhvillimi i akullores ishte i madh në Kinë dhe vendet arabe gjatë shekujve IX-XI. Rreth asaj kohe, nisi eksperimentohej me akulloret me bazë qumështi, më të ngjashme me ato që shijojmë sot. Idetë e tyre u përhapën dalëngadalë drejt Evropës nga tregtarë dhe udhëtarë si italiani Marko Polo. Kur Polo u kthye në Itali në vitin 1295, ai e mori me vete këtë recetë. Në Itali, receta u ndryshua shumë herë, duke u shndërruar në diçka më afër ëmbëlsirës së ngrirë. Ekonomitë e lulëzuara të qytete-shteteve italiane, dhe veçanërisht tregtia e tyre me vendet myslimane, i vendosi ato në një pozicion unik për të mbështetur këto ide. Kjo shpjegon edhe arsyen pse edhe sot e kësaj dite, Italia ka një traditë kaq të fortë të prodhimit të akullores.

Por me një kosto të lartë dhe pa mjete efektive për ruajtjen e akullit ose borës, akullorja mbeti një produkt që mund të konsumohej nga shumë pak njerëz në Evropë deri në shekullin XVII të apo XVIII. “Kremi i akullt” siç njihej në atë kohë në Italinë fiorentine, u përhap në Angli diku në shekullin XVI-të.

Ajo shërbehej rregullisht në tryezën e Çarslit I gjatë shekullit XVII. Franca e provoi për herë të parë këtë ëmbëlsirë në vitin 1553 kur Katerina de Mediçi (italiane) u martua me mbretin francez Henri II. Megjithatë, të gjithë duket se janë dakord që akullorja u vendos për herë të parë në dispozicion të publikut të gjerë në vitin 1660. Një sicilian i quajtur Prokopio Kuto prezantoi një recetë qumështi të ngrirë, krem, gjalpë dhe vezë në Café Procope (kafeneja më e vjetër në Paris), e cila zotërohej prej tij. Kosimo Ruxheri nga Firence ka meritën e shpikjen e akullores së parë në oborrin e Katerina de Mediçit në fillim të viteve 1530. Megjithatë, Prokopio e mori këtë koncept dhe ia prezantoi publikut të gjerë. Teknikat më të mira të ruajtjes në akull, bënë të mundur që akullorja të prodhohej në sasi më të mëdha dhe më lirë se kurrë më parë. Kjo ëmbëlsirë shkoi në Amerikë në mesin e shekullit XVIII-të. Në vitin 1744 guvernatori i Merilend, Tomas Bladen, u shërbente akullore mysafirëve të tij.

Xhorxh Uashingtoni kishte pajisje të posaçme për të bërë akullore në shtëpinë e tij në Mount Vernon. Në vitin 1843, Nensi Xhonson shpiku akulloren me kaush, një revolucion ky në prodhimin e akullores. Kjo shpikje e zvogëloi kohën e nevojshme për të bërë akullore dhe e lehtësoi shumë prodhimin.

Por përhapjen më të madhe e pati pas Luftës së Parë Botërore. Aftësia për të ruajtur akulloren për periudha të gjata kohore pa e dëmtuar, e zgjeroi shumë këtë industri. Në atë kohë prodhimi i saj u rrit me 100 herë, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, të cilat i shpëtuan të padëmtuara luftës. Bari i parë ku servirej vetëm akullore, “I-Scream-Bar”, u hap në SHBA nga Kristian Nelson në vitin 1922. Akullorja u bë akoma më shumë popullore në tregjet globale gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur akulloret e ngrira dhe të thata u bënë pjesë e racioneve zyrtare luftarake të Ushtrisë Amerikane. Ato iu shpërndanë ushtarëve amerikanë në të gjitha frontet:Evropë, Afrikën e Veriut, Azinë Lindore dhe frontet e Paqësorit. Në fakt, akullorja luajti një rol qendror në rritjen e marrjes së kalorive të ushtarëve amerikanë, si dhe në moralin dhe shpirtin e tyre luftarak.

Në një editorial të numrit të majit 1918 i “The Ice Cream Review”, një revistë mujore shkruhej: “Në këtë vend çdo spital mjekësor e përdor akulloren si ushqim, dhe mjekët nuk do të dinin si të bënin pa të. Po djemtë tanë të plagosur dhe të sëmurë në Francë? A do të shtrihen ata në shtrat duke dëshiruar një pjatë me një akullore të mirë amerikane?”.

(Kosova Sot Online )