Dietat me pak yndyrë nuk funksionojnë

  • E. /
  • 02 September 2020 - 10:30
Dietat me pak yndyrë nuk funksionojnë

Dietat me pak yndyrë nuk janë mënyrat më të mira për të humbur peshë, thuhet në një studim të ri, i cili vë nën dyshim dekada të tëra me këshilla shëndetësore. Shkencëtarët kanë ardhur në përfundim se nuk ekziston ndonjë dëshmi për ta mbështetur besimin se njerëzit duhet ta reduktojnë sasinë e yndyrës në dietën e tyre. Studimi gjithashtu shtron pyetje shtesë në lidhje me udhëzimet e institucioneve shëndetësore, të cilat për dekada të tëra kanë këshilluar njerëzit që ta shmangin gjalpin, qumështin me yndyrë dhe ushqimet e tjera të yndyrshme.

Zyrtarët shëndetësorë duhet që të ofrojnë udhëzimet të thjeshta të përqendruara në madhësitë e porcioneve dhe ushqimet e përpunuara në vend se të përqendrohen në yndyrë, karbohidrate dhe proteina, kanë thënë hulumtuesit nga Harvardi. "Nuk ekziston ndonjë dëshmi e mirë për të rekomanduar dieta me pak yndyrë", ka thënë Dr. Deirdre Tobias, e cila e ka udhëhequr studimin e bazuar në të dhënat e më se 68 mijë personave të rritur. "Përkundër besimit të përhapur se njeriu duhet ta reduktojë konsumimin e yndyrës për të humbur peshë, dëshmia shkencore nuk i mbështetë dietat me pak yndyrë më shumë sesa intervenimet e tjera dietale për humbje afatgjate të peshës", ka shtuar ajo. Në studim është zbuluar se personat në dieta me pak karbohidrate mesatarisht humbin 1.15 kg më shumë sesa ata në dieta me pak yndyrë në kohëzgjatje prej një viti.

(Kosova Sot Online)