Recetat e gjyshes: ilaçet natyrale kundër ftohjes

  • E. /
  • 09 September 2020 - 11:47
Recetat e gjyshes: ilaçet natyrale kundër ftohjes

Shumica prej nesh, që në fëmijëri jemi mësuar nga më të vjetrit tanë se si përmes disa fshehtësive mund të parandalohen ftohja dhe gripi. Nëse këto ilaçe filloni t'i përdorni, që në ditët e para të ftohta, do t'i zbutni simptomat dhe shpejt do të shëroheni.

PROPOLISI DHE MJALTI KUNDËR KOLLËS

Propolisi përmban përzierje të pasur me vitamina B dhe minerale, prandaj edhe konsiderohet si ilaç i fortë kundër kollës. Një lugë mjaltë para gjumit, po ashtu qetëson kollën. Në mjaltë mund të shtoni edhe hudhër të shtypur.

LIMON DHE MJALTI, PËR FYTIN E PEZMATUAR

Përzierja e ngrohtë nga limoni dhe mjalti janë ilaç i efektshëm kundër fytit të skuqur dhe me dhimbje. Fytin mund ta shpëlani edhe me ujin e përzier me kripë, me të cilin disa herë në ditë do të duhej ta shpëlani fytin.

UTHULLA E MOLLËS KUNDËR DHIMBJEVE TË KOKËS

Uthullën e mollës do të duhej të filloni ta konsumoni porsa të vëreni shenjat e parë të ftohjes. Me shtimin e vetëm një lugës uthull të mollës në një gotë ujë do ta pastroni organizmin dhe do ta zbutni inflamacionin e fytit dhe dhimbjeve të kokës.

PASTRIMI I SINUSEVE ME UJË TË NJELMËT

Hunda e bllokuar është simptomë aspak e këndshme gjatë ftohjes dhe gripit. Sinuset mund t'i zhbllokoni me pikat me ujë të njelmët, që vetë mund t'i përgatisni. Në 200 ml ujë të ngrohtë hidhni ¼ e lugës me kripë dhe po aq sodë bikarboni. Në këtë mënyrë do të largoni ënjtjet dhe frymëmarrjen e vështirësuar.

SHERBELA PËR SHPËLARJEN E FYTIT

Madje, edhe shumë mjekë sugjerojnë çajin nga sherbela në luftën kundër fytit të pezmatuar. Në një gotë me ujë të vluar shtoni deri dy lugë me gjethe të thara të sherbelës. Lini të qëndrojnë për dhjetë minuta, e më pas me çajin e fituar shpëlani fytin disa herë në ditë.

ÇAJI NGA RRËNJA E JAMBALLIT

Ky lloj i çajit qetëson fytin e pezmatuar dhe zbut kollën, e përmban edhe materien aktive glicirizinë, që është 50 herë më e ëmbël se sheqeri dhe ka veti të shumta shëruese. Mirëpo, kini kujdes dhe ta konsumoni në sasi të vogla, sepse mund ta ngritë shtypjen e gjakut. Për përgatitjen e çajit përvëloni gjysmë lugë me rrënjë të jamballit me 1,5 dl ujë të valuar. Lini të mbuluar për 5 minuta, e më pas e konsumoni. Pini tri gota në ditë, jo më shumë.

LIMONI, MJALTI DHE XHENXHEFILI

Këto tri ushqime janë shumë shëruese, e me kombinimin e tyre mund të hiqni qafe simptomat e ftohjes dhe gripit. Në një kavanoz të madh gërryeni rrënjën e xhenxhefilit, dy limonë të prerë në rriska dhe shtoni mjaltin. Këtë përzierje ta konsumoni para gjumit.

MJALTI DHE KANELLA KUNDËR FTOHJES

Kur flasim për ftohjen, ky kombinim ju ndihmon në forcimin e imunitetit, si dhe ndihmon te kolla kronike dhe lodhjet, si dhe me sukses pastron sinuset. Në 1 dl ujë të vakët shtoni mjaltë dhe dy lugë kanellë pluhur. Përzieni derisa të shkrihet mjalti. Lëngun ta pini dy herë në ditë, për tri ditë rresht.

(Kosova Sot Online)