Çfarë ndodh nëse prekeni njëkohësisht nga gripi dhe COVID-19

  • E. /
  • 12 September 2020 - 16:30
Çfarë ndodh nëse prekeni njëkohësisht nga gripi dhe COVID-19

Ndërsa mjekët janë të shqetësuar për shtimin e rasteve me koronavirus dhe afrimit të sezonit të gripit që mund të mbingarkojë sistemin e kujdesit shëndetësor, amerikanët duhet të luftojnë me një mundësi tjetër: luftimin e të dy viruseve në të njëjtën kohë.

“Ju mund të sëmureni nga gripi dhe COVID-19 në të njëjtën kohë, gjë që mund të jetë katastrofike për sistemin tuaj imunitar”, tha Adrian Burrowes, një mjek familjar në Florida.

“Në fakt, infektimi me njërin virus, kjo mund të ju bëjë më të prekshëm ndaj virusit tjetër”, tha epidemiologia Seema Yasmin.

“Nëse infektoheni nga gripi apo disa viruse të tjera të frymëmarrjes, sistemi juaj imunitar do të dobësohet”, tha Yasmin.

“Sistemi ynë imunitar do të dobësohet dhe kjo do të ju bëjë të pambrojtur ndaj një infektimi të dytë”, shtoi ajo.

Nëse sëmureni me COVID-19 dhe grip, mushkëritë do të dëmtohen më shumë, duke shkaktuar pneumoni, lëng në mushkëri ose probleme të organeve të frymëmarrjes, sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

“Infektimi me të dy viruset njëkohësisht, do të rriste rrezikun e efekteve afatgjata tek organet”, tha Michael Matthay, mjek dhe një specialist i kujdesit kritik në Universitetin e Kalifornisë, San Francisco.

Është ende shumë herët për të ditur saktësisht se çfarë efekti mund të ketë në trup nëse sëmureni me të dyja viruset. Por Matthay dyshon se potenciali për të shkaktuar pneumoni do të ishte më i madh nëse jemi të infektuar me grip dhe koronavirus.

“Të dy viruset së bashku mund të jenë më të dëmshëm për mushkëritë dhe mund të shkaktojnë probleme të rënda në frymëmarrje,” tha ai.

Problemet në frymëmarrje nuk do të thotë që mushkëritë do të ndalojnë së funksionuari. Do të thotë që mushkëritë nuk qarkullojnë oksigjen të mjaftueshëm në gjak, transmeton abcnews.al.

Si mund ta kuptoni nëse keni Covid-19 ose grip (ose të dy)?

“Simptomat e gripit dhe Covid-19 janë shumë të ngjashme, kështu që është e vështirë të kuptosh nga cili virus vuan”, tha Leonard Mermel, drejtor për Departamentin e Epidemiologjisë dhe Kontrollit të Infeksionit në Spitalin Rhode Island. Si gripi, ashtu edhe Covid-19 kanë ethe, kollë, gulçim, lodhje dhe dhimbje fyti.

“Disa njerëz mund të kenë të vjella dhe diarre, megjithëse kjo është më e zakonshme tek fëmijët sesa tek të rriturit,” tha CDC.

Por ndryshe nga gripi, Covid-19 mund të shkaktojë humbje të nuhatjes ose shijes. Kështu që mënyra më e mirë për të zbuluar nëse keni koronavirus apo grip (ose të dyja) është të testoheni, transmeton abcnews.al

CDC ka krijuar një test që zbulon të dy viruset. Agjencia tha se po vazhdon të prodhojë dhe të shpërndajë këto teste.

Si mund ta shmangni infektimin me grip dhe Covid-19?

Përdorni maskë dhe ruani distancën sociale. Zyrtarët shëndetësorë kanë theksuar rëndësinë e maskave dhe distancimit fizik nëse amerikanët duan të mbajnë në kontroll Covid-19 dhe të ringjallin ekonominë.

Me afrimin e sezonit të dimrit, masa të tilla mund të “na mbrojnë dyfish nga të dy ato viruse”, tha Yasmin. Në Australi, për shembull, numri i rasteve të konfirmuara me grip ra nga 61,000 në Gusht 2019 në 107 raste këtë vit.

Por në SHBA, disa njerëz po shqetësohen për përdorimin e maskave dhe distancimin shoqëror. Dhe ky është një problem i madh, tha Jeanne Marrazzo, drejtore e Divizionit të Sëmundjeve Infektive në Universitetin e Alabama në Birmingham, transmeton abcnews.al

Vaksinohuni kundër gripit

Pediatrit kanë deklaruar se është e rëndësishme për foshnjat 6 muajsh që të vaksinohen para fundit të tetorit.

“Vaksinimi në kohë i gripit është shumë i rëndësishëm”, tha akademia Amerikane e Pediatrisë . Vaksinimi kundër gripit mund të ndihmojë gjithashtu shumë më tepër njerëz sesa vetëm veten tuaj, tha imunologia Susan Bailey.

“Duke qenë se spitalet do të jenë shumë të mbingarkuar nga pacientët me Covid-19, një vaksinë kundër gripit mund të ndihmojë në uljen e ngarkesës në sistemin e kujdesit shëndetësor, tha Bailey.

Rreth 140,000 deri në 810,000 amerikanë shtrohen në spital nga gripi çdo vit, sipas CDC. Dhe numri i shtrimeve në spital për shkak të Covid-19 pritet të rritet më shumë se 150% deri më 1 dhjetor. (CNN, abcnews)

(Kosova Sot Online)