Trendët më të rinj të ushqimeve të shëndetshme

  • E. /
  • 09 December 2020 - 14:38
Trendët më të rinj të ushqimeve të shëndetshme

Karboni për detoksikim, "freekeh" për shëndet të zemrës dhe supa e eshtrave për ta ulur tensionin e gjakut... Ku qëndron e vërteta?

KARBONI AKTIV

Për shkak se karboni aktiv përdoret në mjekësi te helmimet e ndryshme, ka njerëz që besojnë se marrja e kapsulave të këtij karboni mund të ndikojë në detoksikimin e organizmit. Por, kjo nuk është kaq e thjeshtë. Karboni aktiv i largon vetëm disa helme të cilat sapo janë futur në organizëm dhe që nuk janë absorbuar ende. A ia vlen që të merret në raste të tjera? Jo.

USHQIMET E FERMENTUARA

Ndoshta nuk e dini, por përpos baktereve të dëmshme, në organizmin tonë ka më shumë baktere të dobishme, pa të cilat as që do të mund të jetonim. E, për mbrojtjen e këtyre baktereve duhet të konsumojmë ushqime të fermentuara, sikur që është jogurti, djathi dhe lakrat turshi. A janë të dobishme këto ushqime? Po. Posedimi i popullatave të zhvilluara të baktereve të mira ka rëndësi të madhe për funksionimin adekuat të organizmit.

SPIRALIZIMI

Këtë shprehje mbajeni mend, sepse do ta dëgjoni shpesh. Merrni perimet, si kungulleshkat dhe karotat she shndërroni ato në "spageta" me pak kalori për vetëm disa sekonda. Por, a është kjo një shtesë e shëndetshme në menynë tuaj? Edhe po, edhe jo. Është e vërtetë se duhet të konsumojmë sa më shumë pemë dhe perime, por duhet të kemi kujdes që të mos përjashtojmë në tërësi ushqimet që përmbajnë karbohidrate, sikur që janë makaronat dhe ushqimet e tjera të rëndësishme për organizmin tonë.

USHQIMET ME SYTHA

Tani thuhet se konsumimi i drithërave me sytha mund të ketë dobi për shëndetin ku rëndësi të madhe, mbi të gjitha, ka konsumimi i orizit, grurit dhe tërshërës me sytha (bimë të reja). A ia vlen? Ndoshta. Ushqimet e këtilla ju furnizojnë me shumë vitamina dhe minerale, por çmimi i tyre është goxha i lartë.

"FREEKEH"

"Freekeh" është një drithë i ri i gjelbër, i cili rreshket që t'i hiqet lëvorja dhe të marrë shije të tymosur, e që është shumë i preferuar në Lindjen e Mesme. A duhet ta provojmë? Po. Është një specialitet që përgatitet lehtë dhe mund të shtohet në sallata, supa, oriz, etj. Ka fibra të shumta dhe pak kalori, kështu që ju ngop pa ngrënë tepër. E meta e vetme e tij është se çmimi goxha i lartë.

SUPA ME ESHTRA

Kjo është një recetë e vjetër e cila kohëve të fundit vetëm sa është aktualizuar. Përpos si supë, uji i mishit mund të shtohet në gjella të tjera, të shërbejë si shtesë për salca, etj. A ia vlen të konsumohet? Po. Nëna, gjyshja dhe stërgjyshja juaj e kanë përdorë këtë recetë me shekuj dhe, kanë pasur të drejtë. Në fund ju themi se duhet të keni kujdes ndaj trendëve të rinj të ushqimit, meqë disa prej tyre mund të jenë edhe të rrezikshëm për jetën.

(Kosova Sot Online)