Sëmundja e rëndë që kërcënon ata që zgjohen shpesh në mes të natës

  • E. /
  • 07 May 2021 - 08:22
Sëmundja e rëndë që kërcënon ata që zgjohen shpesh në mes të natës

Nëse zgjimet e shpeshta gjatë natës janë një dukuri e përditshme për ju, atëherë shanset për të vdekur para kohe nga sëmundjet kardiovaskulare ose ndonjë shkak tjetër rriten. Këto shanse janë më të mëdha për gratë, sipas të dhënave nga një studim i ri, i botuar në “European Heart Journal”. Gjumi i ndërprerë mund të jetë për shkak të faktorëve të ndryshëm të jashtëm si zhurma, ndryshimi i temperaturës, por edhe nga faktorë fizikë si lodhja. 

Studiuesit analizuan të dhënat nga matësit e gjumit të veshur nga gati 8,000 pjesëmarrës në tre sondazhe që zgjasin mesatarisht 11 vjet. Rezultatet treguan se gratë që kishin zgjime të shpeshta për një periudhë më të gjatë kohore kishin gati dyfish rrezikun e vdekjes nga një sëmundje kardiovaskulare ose ndonjë shkak tjetër, krahasuar me gratë që kishin një gjumë më të qëndrueshëm.

Nga ana tjetër, burrat, të cilët kishin gjumë me ndërprerje të shpeshtë, kishin 25% më shumë gjasa të vdisnin para kohe nga sëmundjet kardiovaskulare, sesa ata që kishin një rutinë të qëndrueshme të gjumit. Por si shpjegohet ky ndryshim midis grave dhe burrave?

“Gratë dhe burrat kanë mekanizma të ndryshëm kompensues për t’u marrë me efektet e dëmshme të gjumit të paqëndrueshëm”, shpjegon autori i studimit, Dominik Linz, një profesor i asociuar i kardiologjisë në Qendrën Mjekësore të Universitetit Maastricht në Holandë.

Sidoqoftë, arsyeja që gjumi i paqëndrueshëm mund të çojë në vdekje të parakohshme nuk është kuptuar plotësisht nga shkencëtarët dhe hulumtimi nuk ishte krijuar për të provuar ndonjë marrëdhënie shkak-pasojë. Sidoqoftë, ka disa teori të sugjeruara nga autorët e një artikulli shtesë.

“Shumë njerëz me cilësi të dobët të gjumit janë edhe më të rrezikuar nga sëmundjet e zemrës, të tilla si mbipesha, presioni i lartë i gjakut, diabeti dhe sëmundjet e mushkërive. Gjatë gjumit të shkurtër ose me ndërprerje, mund të ndodhë aktivizimi i sistemit nervor simpatik. Kur sistemi nervor simpatik aktivizohet, në trupin tonë sekretohen hormonet e stresit që rrisin rrahjet e zemrës dhe presionin e gjakut, gjë që, nëse ndodh shpesh, rrit rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare gjatë jetës sonë“, tha autori i artikullit, Valentin Fuster, drejtor i Departamentit të Kardiologjisë në Spitalin Mount Sinai në New York.

(Kosova Sot Online)