Imunologët gjermanë thonë se varianti delta prek shumë adoleshentët
Imuniteti kolektiv ndaj koronavirusit nuk ka të ngjarë të arrihet pa vaksinimin e fëmijëve dhe adoleshentëve, ka paralajmëruar Shoqata Gjermane e Imunologjisë (DGfI).
“Imuniteti kolektiv zakonisht mendohet të arrihet kur 60 deri në 70 për qind e popullsisë mbrohet nga patogjenët. Por kjo supozon se virusi nuk mund të riprodhohet në ata individë”, ka thënë zëvendëspresidenti i DGfI, Reinhold Foerster, shkruajnë mediat e huaja.
Po sipas mediave, Foerster tha se me virusin Sars-Cov-2 është ndryshe, njerëzit mund ta transmetojnë virusin edhe pse nuk janë vetë të sëmurë, edhe nëse janë vaksinuar.
Dhe varianti delta i virusit vetëm përkeqëson një situatë të tillë, theksoi ai.
“Është shumë më ngjitës. Dhe godet shumë adoleshentët dhe fëmijët”, ka shpjeguar ai.
“Për sa kohë që ai grup nuk është vaksinuar fare ose është vaksinuar vetëm pak, imuniteti kolektiv nuk do të arrihet”.
Ndryshe, sipas Institutit Gjerman për Kontrollin e Sëmundjeve Robert Koch (RKI), të paktën 85 për qind e popullsisë midis moshave 12 dhe 59 vjeçare dhe 90 për qind e atyre mbi 60 vjeç duhet të vaksinohen për të luftuar me sukses variantin delta.
“Nëse kjo normë e vaksinimit do të arrihej në kohë, vala e katërt e njoftuar në vjeshtë/dimër nuk do të kishte gjasa të ndodhte”, njoftoi RKI të hënën.
(Kosova Sot Online)