ShBA-ja miraton vaksinën e parë për parandalimin e HIV/AIDS-it, ka çmim të lartë
Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve e Shteteve të Bashkuara ka miratuar një vaksinë të re që thuhet se mund ta parandalojë virusin HIV te personat që e marrin këtë ilaç çdo dy muaj.
Substanca cabotegravir, që në treg do të dalë me emrin “Apretude”, u miratua nga Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve të hënën, si alternativë për pilulat që u jepen tash për tash grupeve të ndjeshme për ta parandaluar infektimin me virusin që mund ta shkaktojë AIDS-in.
Dy dozat e para të vaksinës së re jepen me një muaj kohë mes vete dhe pastaj vaksina jepet çdo dy muaj, shkruan Daily Mail.
Vaksina “Apretude” vjen me një paralajmërim që të mos përdoret pa pasur test të vërtetuar me rezultat negativ për virusin HIV.
Miratimi i përdorimit të kësaj vaksine u mbështet në një studim përfundimtar, me të cilin u zbulua se ajo është më efektive për parandalimin e infektimit me HIV se pilulat ditore “Truvada” të kompanisë “Gilead”.
Vaksina “Apretude” do të fillojë të shpërndahet në Shtetet e Bashkuara në fillim të vitit të ardhshëm me çmim prej 3.700 dollarësh për një dozë.
Virusi HIV dhe sëmundja AIDS fillimisht ishin identifikuar në vitet e tetëdhjeta dhe e kishin përfshirë popullsinë homoseksuale në Shtetet e Bashkuara e në pjesë tjera të botës. Dhjetëra mijëra njerëz kishin vdekur në fazën e parë të sëmundjes.
Në atë periudhë, infektimi me këtë virus ishte pothuajse dënim me vdekje. Megjithatë, që nga mesi i viteve të nëntëdhjeta, një kombinim ilaçesh u ka mundësuar të infektuarve me HIV për të jetuar jetë normale. HIV-i nuk mund të shërohet, por nuk cilësohet më si dënim me vdekje për ata që kanë qasje në trajtim.
(Kosova Sot Online)