Katër pije që mund të ndihmojnë në parandalimin e demencës

  • E. /
  • 09 June 2022 - 14:25
Katër pije që mund të ndihmojnë në parandalimin e demencës

Demenca – një gjendje që përfshin humbjen e kujtesës, pamundësinë për të folur, për të zgjidhur problemet dhe për të menduar – prek rreth 55 milionë njerëz në mbarë botën.

Edhe pse mund të ndodhë për shkak të faktorëve që nuk mund të ndikojmë – mosha apo gjenetika – mënyra jonë e jetesës mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm në menaxhimin e kësaj gjendjeje.

Dhe derisa shumica prej nesh janë të fokusuar në ushqimin adekuat dhe aktivitetin fizik, gjë që është e rëndësishme, nuk duhet të neglizhojmë zgjedhjen e pijeve që ndikojnë në shëndetin tonë kognitiv.

Katër pijet që i sjellim në vijim janë më të mirat për parandalimin e demencës dhe secila prej tyre mund të ketë efekte të mahnitshme në shëndetin e trurit tuaj në mënyrë natyrale, transmeton Science.

Çaj natyral

Ka shumë lloje dhe shije çajesh, por çajet që rrjedhin nga Camellia sinensis janë treguar se përmirësojnë shëndetin e trurit në një mënyrë mbresëlënëse. Llojet e çajit të tillë – i zi, jeshil, ‘oolong’ dhe i bardhë – përmbajnë përbërës natyralë me veti antioksiduese të quajtura flavonoide, si dhe aminoacidin L-theanine.

Pirja e këtyre çajeve mund të ofrojë mbështetje për funksionet njohëse. Ka prova që sugjerojnë se konsumimi i çajit jeshil mund të zvogëlojë rrezikun e demencës, sëmundjes Alzheimer dhe dëmtimit kognitiv.

Sipas një studimi të publikuar në Translational Psychology, ata që pinë çaj kanë 16 për qind më pak gjasa të zhvillojnë demencë në krahasim me ata që nuk pinë çaj.

Lëngu natyral i portokallit

Ka shumë opsione për lëngun e portokallit, por shumë prej tyre, të cilat duken të shëndetshme dhe natyrale, mund të jenë plot me sheqerna të shtuara, të cilat nuk do të bëjnë mrekulli për shëndetin e trurit tuaj.

Duke zgjedhur lëngun natyral të portokallit në vend të pijeve me sheqer të shtuar, mund ta forconi trupin tuaj me lëndë ushqyese që mbështesin shëndetin e trurit, duke përfshirë flavonoidet, vitaminën C, tiaminën dhe vitaminën B6.

Të dhënat tregojnë se të moshuarit e shëndetshëm që pinin këtë lloj lëngu performuan më mirë në testet e kombinuara të funksionit kognitiv global në krahasim me grupin e kontrollit. Dhe në një studim tjetër, marrja më e lartë e flavonoideve të gjetura kryesisht në agrume, u shoqërua me një shans të reduktuar prej 36 për qind të rënies subjektive njohëse. Marrja e portokallit, grejpfrutit, lëngut të portokallit dhe lëngut të grejpfrutit, u shoqërua gjithashtu me perspektiva më të ulëta të rënies subjektive njohëse.

Uji mineral

Pijet e gazuara ose uji mineral mund të jenë një shpëtim i vërtetë në ditët e nxehta të verës. Megjithatë, konsumimi i pijeve të ëmbla të gazuara nuk është masa më e mirë për ta ruajtur shëndetin e trurit, pasi marrja më e lartë e pijeve me sheqer shoqërohet me shenja të sëmundjes paraklinike të Alzheimerit.

Të dhëna të tjera tregojnë se konsumimi i pijeve freskuese të ëmbëlsuara artificialisht lidhet me një rrezik më të lartë të demencës. Në vend të kësaj, kaloni në ujë mineral ose pije të gazuara me pak sheqer për të shuar etjen.

Kefiri

Kefiri është një pije qumështi i fermentuar, i ngjashëm me jogurtin dhe dhallin, që është plot me kultura të gjalla dhe aktive të baktereve të shëndetshme (probiotikë). Disa të dhëna tregojnë se konsumimi i kefirit mund të ndihmojë në përmirësimin e deficiteve njohëse, falë faktit që kulturat e gjalla kanë një rol pozitiv në inflamacionin sistemik, stresin oksidativ dhe dëmtimin e qelizave të gjakut, ndaj kjo është padyshim një zgjedhje e shkëlqyer. 

(Kosova Sot Online)