Vitaminat që ju duhen ndërsa vitet kalojnë

  • A.P /
  • 30 June 2022 - 18:50
Vitaminat që ju duhen ndërsa vitet kalojnë

Kalcium

Me kalimin e moshës, ju mund të filloni të humbni më shumë nga ky mineral sesa merrni. Kjo mund të bëjë që kockat të thyhen më lehtë (osteoporoza), veçanërisht për gratë pas menopauzës. Kalciumi ndihmon muskujt, nervat, qelizat dhe enët e gjakut të punojnë siç duhet. Ju e merrni pjesën më të madhe të tij nga kockat, të cilat e marrin nëpërmjet ushqimit. Gratë mbi 50 vjeç dhe burrat mbi 70 vjeç duhet të marrin rreth 20% kalcium më shumë se të rriturit e tjerë. Qumështi, kosi dhe djathi janë burime të mira.

Vitamina B12

Ndihmon në formimin e gjakut dhe qelizave nervore. Merret natyralisht nga ushqimet shtazore si mishi, peshku, vezët dhe qumështi. Pilula dhe ushqime “të fortifikuara” me B12, si drithërat e mëngjesit, janë burime të tjera. Deri në 30% e personave mbi 50 vjeç kanë gastrit atrofik, gjë që e bën më të vështirë për trupin ta përvetësojë këtë vitaminë nga ushqimet. Antacidet, disa mjekime, dhe operacionet për humbjen e peshës mund të kontribuojnë në mungesën e B12.

Vitamina D

Trupi ka nevojë për vitaminë D që të përthithë kalciumin. Kjo vitaminë ndihmon në parandalimin e osteoporozës, ndihmon muskujt, nervat dhe sistemin imunitar të punojnë siç duhet. Shumica e njerëzve marrin vitaminë D nga rrezet e diellit, por trupi juaj është më pak i aftë të shndërrojë rrezet e diellit në vitaminë D me kalimin e moshës. Është më e vështirë për të marrë këtë vitaminë nga ushqimet, por peshqit yndyrorë si salmoni, skumbria dhe sardelet janë një burim i mirë.

Vitamina B6

Trupi i njeriut e përdor këtë vitaminë për të luftuar mikrobet dhe për të prodhuar energji. B6 gjithashtu ndihmon trurin e bebeve të rritet. Njeriu ka nevojë për më shumë B6 ndërsa moshohet. Disa studime kanë gjetur lidhje midis niveleve të larta të B6 në gjak te të moshuarit dhe kujtesës më të mirë, por vitamina nuk duket se përmirëson aftësitë mendore te personat me demencë. Qiqrat janë një burim i lehtë dhe i lirë. Kështu janë edhe mëlçia, peshqit yndyrorë dhe drithërat e ngurta të mëngjesit.

Magnezi

Ndihmon trupin të prodhojë proteina dhe kocka dhe mban sheqerin në gjak në nivel të qëndrueshëm. Magnezi mund të merret nga arrat, farat dhe zarzavatet me gjethe, por njerëzit e moshuar kanë tendencë të konsumojnë më pak prej tyre. Plus, ata kanë gjasa më shumë të vuajnë nga problematika afatgjata shëndetësore ose të marrin shumë ilaçe, situata të cilat i privojnë nga magnezi.

Probiotikët

Këto baktere “miqësore” janë të mira për zorrën dhe merren nga ushqime të fermentuara si kosi apo lakra turshi, ose nga shtesat ushqimore. Ato mund të ndihmojnë në problemet e tretjes si diarreja ose sindroma e zorrës së irrituar, madje mund të mbrojnë kundër alergjive. Probiotikët këshillohen nëse jeni të shëndetshëm, por flisni së pari me mjekun tuaj nëse keni ndonjë problem mjekësor ose një sistem imunitar të dobët.

(Kosova Sot Online)