
Lexoni edhe:
Bleona Qereti e uron Grenellin pasi u emërua emisar special: Kombi ynë është me fat që të ka
Dermatitis (ekzema) është irritim që shkakton skuqjen e lëkurës, bën lëkurën me luspa dhe shkakton kruarje të madhe. Mund të paraqitet edhe me fluska të imta që shtrihen përgjatë pjesëve anësore të gishtave ose në pëllëmbë. Duart mund të nisin të bëhen të thatë dhe të dhëmbin nga krijimi i çarjeve të lëkurës në pëllëmbë ose majat e gishtërinjve
Çfarë e shkakton sëmundjen?
Lagështia konstante e duarve plus kontakti i shpeshtë me sapunin, detergjentët dhe ngacmues të tjerë gjatë kohës së kujdesjes së foshnjave, mund të ngacmojnë duart. Nëse një pacient ka tendencë të zhvillimit të ekzemës, mundësitë janë më të mëdha që ajo të paraqitet në duar si fazë fillestare e sëmundjes para se të përhapet edhe në zona të tjera të trupit. Kohë pas kohe, ekzemën në duar mund ta shkaktojë një alergji e vërtetë që personi mund të ketë ndaj kimikateve të ndryshme që përdor. Por pjesa dërmuese e dermatitisit që shfaqet te duart, nuk ka të bëjë vetëm me alergjinë. Faktorët stresant e përkeqësojnë gjendjen e ekzemës. Kruarja ose pruriti i lëkurës mund të shkaktojë çarjen e lëkurës dhe ekzema mund të bëhet komplikohet me infeksion sekondar. Ekzema në duar mund të përkeqësohet gjatë dimrit meqë koha e ftohtë shkakton lagështi të ulët që ndikon në tharjen e lëkurës. Kontakti me prodhime që e thajnë lëkurën, siç konsiderohen solventët, duke përfshirë turpentinën, karosinën, benzina, prodhimet për mirëmbajtje shtëpiake, materialet për mirëmbajtjen e luleve dhe përgatitjet ushqimore, vetëm sa e rrisin problemin e ekzemës.
Si trajtohet?
Çështja kryesore për përballimin e ekzemës qëndron në evitimin e gjërave që e ngacmojnë lëkurën. Pra, duhet të minimizojmë larjen me dorë dhe kontaktet me sapun, detergjentë dhe solventë ose ngacmues të tjerë. Dorezat me astar prej pambuku PVC janë të përshtatshme për punë më të rënda. Për punë të imta mund të përdorni dorëza të pambukta nën dorëza gome. Nëse mbani vetëm dorëzat e gomës, ato mund ta ngacmojnë lëkurën meqë shkaktojnë djerësitjen e lëkurës.
Meqë poshtë unazes së gishtit mund të ngelë sapun, ujë dhe kimikate të tjera, ato duhet t’i hiqni para se t’i lani duart me sapun ose pasi të keni bërë punët shtëpiake. Lëkura nën unazë duhet tharë me kujdes.
Amoniaku në pelenat e njoma po ashtu mund ta ngacmojë lëkurën. Pelenat duhet t’i kapni me kapëse ose me dorëza që të evitoni kontaktin direkt me dorë. Madje edhe vetë uji mund të veprojë si ngacmues dhe duhet të përdoren vajra mbrojtës në lëkurë.
Në vend të sapunit mund të përdoren kremrat njomës si ‘krema sorbolene’, krema ujore dhe emulsione. Ato duhet shpesh të përdoren në lëkurë gjatë ditës si mjete njomëse e posaçërisht duhen përdorur pas larjes. Ndërkohë që ekzema është aktive, kremrat kortizon ose të tjerë të përshkruara nga mjeku dermatolog do të duhen të përdoren për qetësim të pezmatimit të lëkurës. Po ashtu, trajtimi i çfarëdolloj infeksioni, kërkon marrje të antibiotikëve të dhënë me udhëzim mjeku.
Pasi të qetësohet ekzema, duhet ndalur përdorimin e kremrave kortizon. Si parandalues kundër ripërsëritjes së ekzemës, duhet të përdorni rregullisht kremra hidratues dhe vazhdimisht duhet të shmangni materialet ngacmuese. Në rast përsëritjeje të këtij fenomeni, duhet një vizitë te mjeku dermatolog për të vlerësuar diagnozën dhe terapinë, ose ekzaminimet specifike që kërkohen për të gjetur shkaktarin. Nëse zhvillohet alergjia, atëherë duhen evituar kontaktet me kimikate.
(Kosova Sot Online)