A është rrezik nëse rrëzoheni gjatë shtatzënisë?
Janë disa arsye se përse mund të rrëzoheni më lehtë tash kur jeni shtatzënë (sidomos nëse jeni në tremujorin e tretë të shtatzënisë).
Jeni shtatzënë dhe keni shtuar disa kilogramë peshë. Shumicën e kohës jeni e lumtur dhe mezi e pritni momentin kur do ta keni beben tuaj në përqafim, por ka edhe momente kur ndjeheni e lodhur, nuk flini mirë, jeni e shqetësuar dhe kur mendja ju fluturon gjithandej.
Mund të ndodhë që nëse nuk jeni e vëmendshme, ta “harroni” një shkallë ose të keni marramendje dhe të rrëzoheni kur rrëshqitni.
Ju keni shtuar peshë dhe atë kryesisht në pjesën e përparme të trupit. Rrjedhimisht e keni më të vështirë që ta mbani drejtpeshimin, shkruan femina. Për më tepër, gjatë shtatzënisë prodhohet hormoni që quhet relaksinë i cili bën që nyjet të jenë më të relaksuara (prandaj, ndonjëherë gjatë shtatzënisë ju “lëshojnë këmbët” ose ju bie filxhani nga dora).
Relaksina prodhohet gjithnjë e më tepër sa më shumë që i afroheni terminit të lindjes. Relaksina ka për qëllim që t’i bëjë më të relaksuara nyjet dhe indet në pelvik, në mënyrë që lindja të jetë më e lehtë.
Përveç problemit me baraspeshën dhe relaksinës së rritur, gjasat janë më të rritura që të rrëzoheni, sepse shpeshherë ndjeheni e lodhur dhe e preokupuar me shtatzëninë.
Por, a rrezikohet bebja nëse rrëzoheni? Lajmi i mirë është që ka shumë pak mundësi që të rrezikohet bebja. Pse? Bebja brenda në mitër mbrohet nga lëngu amnial (i cili i amortizon goditjet), nga muri i mitrës (që është i trashë) si dhe nga muskujt e barkut dhe nga indi yndyror.
Megjithatë, nuk do të thotë se nëse rrëzoheni kjo është krejtësisht pa asnjë rrezik!
Patjetër kontaktoni mjekun tuaj e sidomos nëse keni gjakrrjedhje ose dhimbje, rrjedhje të lëngut amnial dhe nëse ju duket se i ndieni më pak lëvizjet e bebes.
Për fat të keq aksidentet nuk mund të parashikohen, prandaj keni kujdes të shtuar sidomos gjatë muajve të dimrit.
Vishni këpucë të rrafshëta dhe të rehatshme (takat e larta ju bëjnë që shumë lehtë ta humbni drejtpeshimin!) dhe kërkoni ndihmë nëse rruga është e rrëshqitshme.
Kur ecni shkallëve mbahuni për trapazona. Nëse shkoni në fitnes, shmangni ushtrimet gjatë të cilave mund të rrëzoheni.
(Kosova Sot)