Dardan Berisha, me kërkesë për “Dardanët”, për ndeshjen kundër Rumanisë

  • 19 February 2019 - 16:02
Dardan Berisha, me kërkesë për “Dardanët”, për ndeshjen kundër Rumanisë

Ylli i Përfaqësues së Kosovës në basketboll, Dardan Berisha, u ka bërë thirrje “Dardanëve” që të vijnë për ta mbështetur skuadrën e tyre në ndeshjen e së dielës, kundër Rumanisë.

Në një deklaratë të dhënë për Federatën e Basketbollin të Kosovës, Berisha ka zbuluar se skuadrës sot i janë bashkuar në stërvitje edhe disa lojtarë të tjerë, të cilët nuk kishin qenë të pranishëm në ditën e parë të stërvitjeve.

Në anën tjetër, Damir Mulaomerovici nuk do të ketë mundësi të mbështetet në ndihmën e Gëzim Morinës dhe Scott Bamforthit, pasi që këta të dy janë të lënduar dhe nuk janë në dispozicion për ndeshjen e së dielës.

“Sot kemi nisur të kompletuar. Në fakt, përgatitjet nisën dje. Sot ka ardhur edhe Malcolmi. Po gëzohemi që ka ardhur edhe Rioni prej lëndimit. Jemi më të kompletuar, është kthyer edhe Edmond Azemi, i cili do ta japë edhe eksperiencë”, ka thënë Berisha.

“Po përgatitemi shumë mirë. Po besoj që edhe lojtarët kanë luajtur nëpër ekipet e tyre kështu që fizikisht jemi më mirë sesa që kemi qenë. Tani po e presim edhe listën [e lojtarëve të zgjedhur]”.

“Jemi optimistë. Po besoj që do të fitojmë, por normalisht varet edhe nga Rumania, me çfarë ekipi vjen. Normalisht, ne do të jemi 100 për qind të përgatitur dhe do të japim gjithçka që ta fitojmë këtë ndeshje shumë me rëndësi për Kosovë, kështu që i kisha ftu të gjithë publikun, krejt Dardanët të vijnë për të na përkrahur”

“Kjo do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme për neve dhe unë po u premtoj të gjithëve se do ta japim 100 për qindëshin tonë për të fituar”.

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll është grumbulluar të hënën dhe ka nisur përgatitjet për duelin me Rumaninë që do të zhvillohet më 24 shkurt në ora 20:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë në kuadër të parakualifikimeve për Eurobasket 2021.

Kosova bën gara në Grupin B dhe në tri duelet e para ka pësuar disfata, dy herë nga Maqedonia dhe një herë nga Rumania, ndërsa e ka edhe një shans në muajin gusht për ta siguruar një vend për në kualifikime për Eurobasket 2021.

Maqedonia i prin grupit me 6 pikë, ku nga tri ndeshje ka po aq fitore, kurse Rumania dhe Kosova i kanë nga tri pikë secila, përderisa rumunët i kanë luajtur dy ndeshje deri më tani, dhe dy të tjerat do t’i luajnë në muajin shkurt, së pari kundër Maqedonisë dhe më pas kundër Kosovës.

Fituesi i grupit do ta sigurojë një vend direkt për në kualifikime për Eurobasket 2021.

Raundi shtesë i parakualifikimeve për Eurobasket 2021 do të zhvillohet prej 3 deri më 21 gusht, ndërsa emrat e kundërshtarëve Kosova do t’i mësojë në shkurt pas ndeshjes kundër Rumanisë. 

(Kosova Sot)