Rebelohet zhveshtorja e Barcelonës: Kërkon zgjedhje të reja, gjak të ri dhe Xavin trajner

  • A.P /
  • 16 August 2020 - 10:19
Rebelohet zhveshtorja e Barcelonës: Kërkon zgjedhje të reja, gjak të ri dhe Xavin trajner

Eliminimi turpërues nga Liga e Kampionëve pas një paraqitjeje tejet të dobët dhe të tmerrshme kundër Bayern Munich ishte fundi i një epoke në Barcelonë. Klubi e ka shprehur tashmë nevojën për ndryshim dhe gazeta spanjolle “AS” nënvizon se zhveshtorja dëshiron: gjak të ri, zgjedhje dhe që Xavi Hernandez të emërohet trajner i ri.

Koha për ndryshime në Barcelonë ka ardhur. Humbja turpëruese 8:2 kundër Bayern Munich në çerekfinale të Ligës së Kampionëve i ka bërë të gjithë ta kuptojnë se ky ishte fundi i një epoke në Camp Nou.

Gjenerata, e cila e udhëhoqi klubin drejt lavdisë, po perëndon. Një lojtar i rëndësishëm si Gerard Pique e ka thënë troç dhe para krejt botës se Barcelona ka nevojë për ndryshim rrënjësor, duke nisur me largimin e lojtarëve të rëndësishëm.

Qendërmbrojtësi ishte lojtari i cili doli të flasë publikisht dhe e bëri këtë me përkrahjen e zhveshtores.

AS shkruan se lojtarët kryesorë të Barçës i mbështesin komentet e Piques sepse pajtohen me qëndrimin e tij.

Pique tha se është i gatshëm të largohet i pari, por shtoi se shpreson se presidenti Josep Maria Bartomeu është mjaftueshëm i guximshëm sa për të shpallur zgjedhje të reja.

“Atmosfera është shumë e tensionuar. Problemet nuk do të rregullohen me një apo dy fytyra të reja, çdo gjë duhet të ndryshojë”, shkruan e përditshmja spanjolle.

Ndërsa sipas COPE, kapiteni Lionel Messi ka kërkuar zgjedhje të reja dhe ndryshim rrënjësor, përndryshe kërcënon me largim qysh në vitin 2021 pas asnjë qindarkë. 

(Kosova Sot Online)