Futbollistët e Kosovës U21 dalin negativë për Covid-19, para takimit me Anglinë U21

  • 03 September 2020 - 12:37
Futbollistët e Kosovës U21 dalin negativë për Covid-19, para takimit me Anglinë U21

Ekipi kombëtar U21 i Kosovës e ka marrë dritën e gjelbër për ta zhvilluar takimin kualifikues për Kampionatin Evropian 2021, kundër Anglisë U21 të premten në Prishtinë.

Kosova e pret Anglinë në stadiumin Fadil Vokrri, të premten në një ndeshje të vlefshme për kualifikimeve për Evropianin U21, që do të zhvillohet më 2021.

Verdhekaltrit do të kërkojnë të mbesin në garë për kualifikim, pasi renditen në vendin e tretë me gjashtë pikë më pak se Anglia në vendin e parë dhe Austria në të dytin.

Kosova e kishte humbur ndeshjen e parë në Anglinë dhe është në një seri negative prej tri humbjeve radhazi.

Anglia, ndërkohë, është e pamposhtur dhe i ka fituar të gjitha katër ndeshjet në grupin 3 deri tani.

Trajneri Rafet Prekazi për këtë ndeshje ka grumbulluar edhe dy futbollistë nga lista paraprake, portierin Ardit Nika dhe mesfushorin Qëndrim Zyba.

“Gëzon fakti se të gjithë futbollistët dhe stafi i Kombëtares U21 kanë rezultuar negativ në testin e kryer për Covid-19 nga laboratori i licencuar i UEFA-s dhe tani janë plotësisht të fokusuar për t’u paraqitur sa më mirë kundër anglezëve”, thuhet në një njoftim të FFK-së.

Dardanët do ta zhvillojnë stërvitjen e fundit në stadiumin “Fadil Vokrri” sonte në orën 17:30, para takimit të nesërm.

(Kosova Sot Online )