Liga Profesioniste nuk tërhiqet, bojkot futbollit deri në plotësimin e kërkesave

  • E. /
  • 12 September 2020 - 15:18
Liga Profesioniste nuk tërhiqet, bojkot futbollit deri në plotësimin e kërkesave

Shqipëria rrezikon të shkojë drejt një viti pa futboll. Presidentët e Kategorisë Superiore në mbledhjen e radhës të Ligës Profesioniste të mbajtur këtë të shtunë, dolën sërish me një qëndrim unanim sa i përket kërkesave të tyre, duke vënë theksin se loja nuk do të nisë deri në momentin që qeveria do të marrë përsipër katër kushteve të tyre, që mbeten të pandryshuara.

“Sot presidentët e klubeve të Kategorisë Superiore vendosën në unanimitet të plotë që nuk do të rikthehen më në fushat e blerta, nuk do ta rinisin më kampionatin, deri në përmbushjen e kërkesave që i kemi parashtruar qeverisë. Ne nuk presim premtime, presim thjeshtë përmbushjen e kërkesave tona. Ato janë minimaliste, janë kërkesa që janë plotësuar në çdo vend të rajonit dhe botës. Nuk kërkojmë asgjë që nuk e ka tërë dynjaja. Kërkojmë ato që i kanë të gjithë”, u shpreh presidenti i Apolonisë Koço Kokëdhima, i cili foli edhe në emër të përfaqësuesve të klubeve të tjera.

Gjithsesi një dritë jeshile vjen nga tryeza e përbashkët që do të ngrihet me qeverinë, ku palët do të negociojnë për gjetjen e një zgjidhje. Në takimin që pritet të mbahet brenda 10 ditëve të ardhshme, qeveria do të përfaqësohet nga Fidel Ylli, ndërsa grupi i punës së Ligës Profesioniste do të jetë i formuar nga presidenti Apolonisë, Koço Kokëdhima, ai i Tiranës, Refik Halili dhe i Partizanit, Gazmend Demi.

“Ne iu përgjigjëm pozitivisht kërkesës për bisedime që ka lançuar qeveria gjatë kësaj jave. Ne zgjodhëm sot delegacionin për të biseduar me qeverinë dhe përbëhet nga Refik Halili, Gaz Demi dhe Koço Kokëdhima. Mirëpresim angazhimin e Fidel Yllit dhe kemi respekt për përpjekjet e tij për ta përmirësuar legjislacionin sportiv të Shqipërisë. Duke besuar se ai është në krahun e futbollit, kemi ngarkuar sot Sekretarin e Ligës, Dritan Kadia, që të bisedoje me zotin Ylli. Delegacioni zyrtar pret të bisedoje me qeverinë dhe kryeministrin, që kanë aftësitë për të përmbushur kërkesat tona, por kanë edhe detyrimin t’i përmbahen premtimeve të 18-19 muajve të shkuara”, tha Kokëdhima.

Presidenti i Apolonisë iu përgjigj në distancë dhe kryeministrit Rama lidhur me deklaratat e dhëna prej tij pak ditë më parë, se futbollistët në një lojë të pa formalizuar, po trajtohen si skllevër.

Në mbledhje e mbajtur në “Air Albania”, të gjithë presidentët vendosën me unanimitet që bojkoti të vazhdojë për një afat të pacaktuar, me futbollin në vend, që po vuan tashmë nga epidemia ligjore, e cila kërkon një zgjidhje tavoline. 

(Kosova Sot Online)