Willian shkëlqen me tri asistime dhe i ndihmon Arsenalit ta mundë Fulhamin në debutimin e tij
Arsenali e ka fituar ndeshjen hapëse të sezonit të ri 2020/21 në Premierligë, duke e mposhtur bindshëm 3:0 Fulhamin të shtunën.
Willian, i cili iu bashkua Arsenalit këtë verë nga rivali Chelsea, pati ndikim të menjëhershëm në skuadrën e Mikel Artetas, duke i krijuar të gjitha tri golat e triumfit në Cravne Cottage.
E tëra nisi mbarë për “Topçinjtë”, me Alexandre Lacazette që e shënoi golin e parë të sezonit në Premierligë pas vetëm tetë minutave, duke e futur topin në portën e zbrazët, i ndihmuar nga Willian.
Arsenali e mbylli pjesën e parë me këtë epërsi minimale, por e gëzoi një fillim të mbarë edhe në pjesën e dytë, kur Gabriel, për të cilin po ashtu kjo ishte ndeshja e tij debutuese, shënoi me kokë pas një harkimi të përkryer të Willian nga këndi në minutën e 49-të.
Tre minuta para se akrepat të shënonin një orë lojë, Pierre-Emerick Aubameyang realizoi gol fantastik duke e mposhtur Rodakun në cepin e majtë të portës, pas një aksioni të mrekullueshëm ekipor dhe një tjetër asistimi nga ish-braziliani i Chelsea.
Fulham, që u rikthye në Premierligë këtë sezon, pas një viti të kaluar në kategorinë e dytë të futbollit anglez Championship, qe i pafuqishëm t’i bëjë ballë Arsenalit.
Arsenali e mbizotëroi Fulhamin që prej fillimit dhe fitorja nuk u duk asnjëherë në dyshim.
Granit Xhaka, kosovari i Zvicrës luajti 80 minuta, para se të zëvendësohej nga Dani Ceballos, pas një shqetësimi në nyjën e këmbës.
Ndërsa, Shkodran Mustafi mungoi për shkak se ende nuk është plotësisht i gatshëm pas një lëndimi të gjatë.
(Kosova Sot Online)