FFK-ja e zbulon numrin e të infektuarve me COVID-19 te Kombëtarja U-21

  • 12 October 2020 - 16:50
FFK-ja e zbulon numrin e të infektuarve me COVID-19 te Kombëtarja U-21

Federata e Futbollit e Kosovës njofton se Kombëtarja U-21 dje i është nënshtruar testit për Covid-19 dhe sot është njoftuar me rezultatet e testeve.

Me këtë rast, katër futbollistë dhe një anëtar i stafit kanë rezultuar pozitiv, por që të gjithë janë asimptomatik dhe mirë me shëndet.

Menjëherë pas njoftimit të rezultateve të testeve të gjithë personat që kanë rezultuar pozitiv janë izoluar dhe nuk kanë kontakt me pjesën tjetër të ekipit.

“Po ashtu, duhet cekur që Federata edhe më herët i ka marrë të gjitha masat e nevojshme për këtë grumbullim, ku të gjithë futbollistët kanë qenë në dhoma të ndara që nga fillimi. Personat që kanë rezultuar pozitiv janë ritestuar gjatë ditës së sotme në Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe janë në pritje të rezultateve për t’u konfirmuar nëse sërish pozitiv”, njofton shtëpia e futbollit kosovar.

Kosova e pret nesër Andorrën në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, në një ndeshje kualifikuese të Grupit 3.

Por, ka gjasa që kjo ndeshje do të anulohet.

(Kosova Sot Online )