Trepça ’89 po e shijon momentin magjik, trajneri Idrizi pret sezon pozitiv

  • G.g /
  • 27 October 2020 - 12:14
Trepça ’89 po e shijon momentin magjik, trajneri Idrizi pret sezon pozitiv

Pas fitores së madhe me rikthim sensacional ndaj Ballkanit, apetitet e Trepçës ’89 janë rritur. Trajneri Shpëtim Idrizi pret sezon pozitiv të ekipit mitrovicas, ndërsa zbulon se i ka duar e lira dhe nuk e ndien asnjëherë presionin në klub. Ai e lavdëron kryesinë e klubit edhe për punën profesionale me të rinjtë

Për dallim nga sezoni i kaluar, kur deri në xhiron e fundit të Superligës ishte në rrezik për të rënë nga liga, Trepça ’89 në këtë fillim edicioni i ka punët paksa më mirë.

“Minatorët” i kanë grumbulluar 11 pikë në 8 ndeshjet e para duke e zënë aktualisht vendin e gjashtë në tabelë me pikë të njëjta me Prishtinën, e cila është e katërta.

Mitrovicasit bënë sensacion fundjavën që shkoi duke e bërë njërin prej rikthimeve më të mëdha në histori të futbollit kosovar.

Ata ishin duke humbur 0:3 nga Ballkani dhe në fund fituan 4:3, shkruan Gazeta Express.

Tre golat e Bismark Sie dhe një i Rilind Nimanit e mundësuan përmbysjen e rezultatit ndaj ekipit nga Suhareka.

Trajneri Shpëtim Idrizi i është gëzuar rezultatit të fundit, ndërsa insiston se ekipi i tij duhet ta vazhdojë rrugën e njëjtë.

Synim i “Xehetarëve” është që të mbledhin sa më shumë pikë këtë edicion.

“Po, ta them të drejtën e rëndësishme ka qenë që ta mbajmë bërthamën e ekipit dhe normal lojtaret të cilët kanë ardhur janë përshtatur mjaft mirë në ambientin tonë. Primare për Trepçën ‘89 është që të mbledhim sa më shumë pikë, e nëse na jepet rasti të luftojmë për titull, pse jo”, tha Idrizi në një bisedë për Gazetën Express.

Idrizi ndihet i qetë te Trepça ’89 dhe insiston se kryesia e klubit asnjëherë nuk i bën presion kur nuk arrihen rezultatet e kënaqshme, siç ndodh në klubet tjera.

“Normalisht, duke iu falënderuar kryesisë që gjithmonë më ka mbështet edhe si lojtar që kam qenë por edhe tash si trajner, për asnjë moment nuk kam ndonjë presion. Kryesia e njeh jashtëzakonisht mirë futbollin tonë dhe pavarësisht rezultateve gjithmonë e kemi përkrahjen e tyre. Për këtë gjë i falënderoj drejtuesit e klubit për besimin dhe mundësinë që ma kanë dhënë ta drejtoj klubin e zemrës, Trepçën ‘89”, shtoi tutje Idrizi.

Nga skuadra e 89-shit kanë dalë shumë lojtarë të cilët kanë shkëlqyer si te skuadra mitrovicase, por edhe të skuadrat tjera, në Superligë dhe jashtë vendit.

Ish-futbollisti i njohur kosovar ia kalon kreditet kryesisë, duke e lavdëruar atë për zbulimin dhe zhvillimin e talenteve.

“Kryesia e klubit gjithmonë është në mbikëqyrje të lojtarëve të rinj të cilët janë perspektivë dhe nuk heziton që t’i marrë afër vetës dhe t’ua japë mundësinë, gjë që është e rëndësishme sepse Trepça ‘89 në mesin e vetë i ka menaxheret e saj. Brenda dy vjetësh kanë dalë dy lojtarë menaxhimi i mirë i klubit siç është Florent Hasani dhe së fundmi Arb Manaj. Kjo e veçon Trepçën ‘89 nga klubet tjera pasi lojtarët e rinj janë gjithmonë nën vëzhgim të menaxherëve të klubit”, u shpreh Idrizi.

Sa u përket prurjeve të reja eventuale në janar dhe kompletimit të klubit për pjesën e dytë të sezonit, ai tha: “Për momentin jemi mirë. Nëse rastësisht shohim se kemi ngecje, normal se do ta diskutojmë së bashku me kryesinë. Dihet që edhe orari i ndeshjeve është mjaft i ngjeshur, por do të presim njëherë se si do të rrjedhin gjërat”, përfundoi trajneri Idrizi.

Trepça ‘89 të mërkurën do të udhëtojë në Drenicë për të luajtur me Kuqezinjtë në kuadër të xhiros së nëntë të Superligës. 

(Kosova Sot Online)