Luftëtari përjashtohet nga Kupa edhe sezonin e ardhshëm
Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit ka marrë vendimet në lidhje me ngjarjet e relatuara për sfidat e raundit të parë të Kupës së Shqipërisë.
Bie në sy vendimi për Luftëtarin, që jo vetëm ka humbur 3-0 ndeshjen në tavolinë me Elbasanin, por nuk do të mund të marrë pjesë as sezonin e ardhshëm në Kupë.
Në fakt, vendimi i Disiplinës është shqetësimi më i vogël sa i përket futbollit në Gjirokastër, pasi Luftëtari praktikisht është shkrirë si ekip dhe nuk do të marrë pjesë as në Kategorinë e Parë, raporton Super Sport.
Vendimet e Disiplinës:
Lojtari i FK Dinamo, Plarent Fejzaj, për sjellje josportive ndaj kundërshtarëve, në bazë të Nenit 47/1/d të KDS dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.
Zyrtari i KF Egnatia, Klaudian Dervishi, për protestë ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 55/2 të KDS dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.
Lojtari i KF Skënderbeu, Sciprim Taipi, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 47/1/d të KDS dënohet me 1 (një) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.
Lojtari i FK Tomori, Orgest Gava, për sjellje josportive ndaj kundërshtarit, në bazë të Nenit 47/1/d të KDS dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti futbollistik.
KF Luftëtari, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme për Kupën e Shqipërisë kundër FK Elbasani, në bazë të nenit 54/1 të KDS dhe Nenit 109/2/a/c të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0 dhe dënohet me mospjesëmarrje në sezonin pasardhës të Kupës së Shqipërisë.
(Kosova Sot Online)