Më në fund Fury i përgjigjet akuzave të rënda të Wilderit
Tyson Fury beson se Deontay Wilder e ka humbur pusullën, për shkak të një vargu teorish konspiracioni që boksieri amerikan i bëri në lidhje me humbjen e tij në shkurt.
Fury e rrahu Wilderin me nokaut në rundin e shtatë në luftën për titullin e botës në kategorinë e rëndë në WBC në Las Vegas në shkurt të këtij viti.
Pas shumë muajve heshtjeje, Wilderi e theu heshtjen dhe e akuzoi Furyn se kishte mashtruar për të fituar.
Wilderi e akuzoi kampionin e botës nga Britania e Madhe se e kishte futur një objekt të fortë në dorëza për ta mposhtur atë më lehtë.
Për më tepër, Wilder e akuzoi edhe ish-trajnerin e vet Mark Breland se i kishte hedhur drogë në ujë para meçit.
Fury i ka hedhur poshtë pretendimet e 35-vjeçarit duke i quajtur qesharake.
“Mendoj se ai e ka humbur pusullën. Së pari ishte suita, pastaj lëndimi i bicepsit, pastaj trajneri i tij ishte në ekipin tonë, pastaj gjyqtari ishte kundër tij, pastaj unë i kisha forcuar dorëzat”, tha Fury për TalkSport.
“Tani dikush i paska hedhur drogë në ujë”, shtoi ai.
(Kosova Sot Online)