Challandes: Ndeshjet e këtij muaji, përgatitëse për Kosovën për kualifikimet e Botërorit 2022

  • 10 November 2020 - 12:41
Challandes: Ndeshjet e këtij muaji, përgatitëse për Kosovën për kualifikimet e Botërorit 2022

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, ka thënë se i sheh tri ndeshjet e fundit të ekipit kombëtar të Kosovës këtë muaj si përgatitje për ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2022 vitin e ardhshëm.

Kosova do të përballet me Shqipërinë në një ndeshje miqësore këtë të mërkurë në Elbasan, si dhe do t’i zhvillojë dy ndeshjet e fundit në grup në Ligën e Kombeve kundër Sllovenisë në Lubjanë dhe ndaj Moldavisë në Prishtinë brenda një jave.

Duke folur në një konferencë për media para këtyre dy ndeshjeve në Durrës, Challandes tha se i sheh këto ndeshje si një lloj përgatitjeje për ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2022, të cilat nisin vitin e ardhshëm.

“Ka kaluar një vit që s’kemi fituar, por nuk kemi zhvilluar ndeshje as në mars e aq në qershor. Ka ardhur më pas një periudhë që nuk ka qenë aspak e mirë për ne. Duhet ta kemi parasysh se vitin e kaluar jemi përballur me kundërshtar si Anglia apo Çekia. Pastaj erdhën ndeshjet e Ligës së Kombeve, por është e qartë se ne e kishim përqendrimin dhe fokusin tek loja me Maqedoninë”, tha Challandes.

Ai shtoi: “Pas asaj loje ishte e vështirë të reagonim. Tani jemi në një fazë tjetër, në grumbullimin e fundit për këtë vit. Kjo le të jetë si një lloj përgatitje për ndeshjet kualifikuese të Botërorit”

Edhe kapiteni i dardanëve, Amir Rrahmani, e ndau mendimin e tij.

“Jo vetëm dy ndeshjet me Slloveninë dhe Moldavinë, por edhe më Shqipërinë, është një mundësi që të përgatitemi sa më mirë për kualifikueset e Botërorit. Jemi në vazot që do të na bien kundërshtarë më të fortë. Pra, do të mundohemi”, tha Rrahmani.

Pas ndeshjes miqësore nesër, Kosova do t’i luajë dy ndeshjet e fundit në Grupin 3 të Ligës C, me synim për ta shmangur rënien në Ligën D – kategorinë e fundit të kësaj gare.

Kosova udhëton drejt Lubjanës për t’u përballur me Slloveninë më 15 nëntor në dhe tri ditë më vonë kundër e pret Moldavinë në Prishtinë.

Kosova është e parafundit në grup me vetëm 2 pikë, tetë më pak se liderja Sllovenia dhe një më shumë se vendi i fundit, Moldavia. 

(Kosova Sot Online )