
Ballkani “mbush bateritë” në Shqipëri

Therandasit janë vendosur në Durrës, ku e kanë nisur fazën përgatitore për pjesën e dytë të sezonit. Ekipi Portokalli synon të jetë i suksesshëm në pjesën e dytë të kampionatit
Klubet kosovare i kanë nisur përgatitjet për pjesën e dytë të sezonit.
Njëri prej tyre është edhe Ballkani, i cili një pjesë të përgatitjeve për stinorin pranveror do ta kryejë në Shqipëri.
Në fakt, therandasit e kanë marrë rrugën drejt Durrësit, ku janë akomoduar në hotel “Bonita”.
Ekipi Portokalli pasi u nda me Ismet Munishin, në pranverë do të drejtohet nga trajneri shqiptar, Bledi Shkëmbi.
Me ish-trajnerin e Lirisë, Ballkani synon të ketë paraqitje dhe rezultate edhe më të mira në pjesën e dytë të edicionit 2020/2021.
Skuadra nga Suhareka po e ndjek titullin e kampionit dhe daljen e parë dhe historike në Evropë.
Edhe pse bëri përforcime të mëdha verën e kaluar, therandasit pritet të jenë aktivë edhe në “merkaton” e janarit.
Ballkani e ka nisur dje fazën përgatitore, ndërsa krahas ushtrimeve do t’i zhvillojë edhe disa ndeshje miqësore.
(Kosova Sot Online)