Trajneri i Danimarkës e godet Interin: Erikseni është tepër i fortë për ta ngrohur stolin

  • 12 January 2021 - 09:48
Trajneri i Danimarkës e godet Interin: Erikseni është tepër i fortë për ta ngrohur stolin

Trajneri i Danimarkës, Kasper Hjulmand, e ka kritikuar ashpër Interin se po ia çon dëm talentin Christian Eriksenit duke e mbajtur rezervë vazhdimisht, pavarësisht se ai është ndër mesfushorët më kreativ në botë.

Erikseni iu bashkua Interit nga Tottenhami në janar të vitit të kaluar, por deri tani ka hasur në vështirësi të mëdha për ta treguar atë që dinte ta bënte në Premierligë.

Trajneri Antonio Conte i ka dhënë shumë pak hapësirë për të luajtur këtë sezon dhe kjo ka nxitur thashethemeve të mëdha se danezi do të largohet nga klubi zikaltër këtë afat kalimtar dimëror.

Duke qenë se Kampionati Evropian 2020 do të mbahet pas gjashtë muajve, Hjulmand dëshiron që Eriksen të luajë rregullisht dhe të jetë në formë sa më të mirë, prandaj largimi nga Interi mund të jetë mënyra më e mirë për ta arritur këtë.

“Christian ka luajtur shumë pak në vitin 2020. Ta mbash atë në stol nënkupton se ke çuar dëm shumë cilësi. Ai është tepër, tepër i fortë për t’u ulur në stol”, tha Hjulmand.

“Kur e shoh se çfarë mund të bëjë ai, shpresoj dhe besoj se ai do të luajë shumë më shumë këtë vit”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online )