Eriksen tregon për periudhën e vështirë që kaloi te Interi
Tre muaj më parë ishte një rezervist për Interin dhe drejtuesit zikaltër e kishin pranuar se po bënin përpjekje për t’i gjetur një tjetër skuadër, por situata ka ndryshuar si me magji për danezin Christian Eriksen.
Fantazisti danez ka fituar një fanellë titullari në ekipin zikaltër dhe për të dytën ndeshje radhazi ndaj Atalantës e Torinos) ka ardhur nga pankina, duke ndryshuar jo pak ritmin e lojës për skuadrën e drejtuar nga Antonio Conte.
Në një intervistë të dhënë për mediat daneze, fantazisti ka zbuluar se ka kaluar një vit vërtetë shumë të vështirë në aspektin sportiv në Milano, që ia shtoi edhe më shumë dëshirën për të luftuar për një vend në formacion.
“Ka qenë viti më i vështirë dhe impenjativ, me shumë ulje-ngritje, megjithatë tani e ndjej që jam duke u rikthyer në mënyrën e duhur. Në dhjetor isha plot mendime, por nuk doja t’ia mbathja nga Interi, pasi doja të luftoja për vendin tim në fushë, gjë që më është dashur ta bëj gjithmonë. Isha i sigurt që nëse do të vinte momenti im, do të përfitoja dhe ndjej se e kam bërë tashmë”, deklaroi Eriksen.
Një gol vendimtar me specialitetin e tij, goditje dënimi, në derbin ndaj Milanit, që dërgoi zikaltrit në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë, duket se i dha edhe shtysën finale Eriksenit, i cili që atëherë ka ngjitur shumë shpejt shkallët e hierarkisë në organikën e Interit.
“Kam qenë edhe pak me fat, pasi gjithçka nisi pas atij goli ndaj Milanit. Njerëzit nisën të më shihnin me tjetër sy dhe më pas kam ardhur në rritje nga java në javë, ndaj jam i kënaqur që gjërat rrodhën kështu”, tregon danezi.
Një vit në Milano ka qenë shumë i vështirë në aspektin sportiv për Eriksen, që flet me superlativa për qytetin dhe jetën atje, por pranon se gjatë kohës që nuk luante është stërvitur shumë për të shfrytëzuar momentin e tij.
“Qyteti këtu është fantastik dhe familja ime ndihet shumë mirë. Gjithçka ka qenë shumë mirë, përveç faktit që më mungonin minutat në fushë. Të jesh lojtar i Interit është gjithmonë bukur, por bëhet më e bukur kur luan më shumë. Për ditë të tëra jam izoluar dhe kam punuar shumë, pasi përveç stërvitjeve, punoja shumë gjatë në fushë, për të praktikuar goditjet apo pasime të ndryshme. Momentalisht ndihem shumë mirë, por ndjej brenda vetes se kam akoma shumë gjëra për të demonstruar’, tha Eriksen.
(Kosova Sot Online)