“Më vjen mirë që të pashë, vëlla” Kastrati dhe Olmo i shkëmbejnë fanellat

  • 01 April 2021 - 09:55
“Më vjen mirë që të pashë, vëlla” Kastrati dhe Olmo i shkëmbejnë fanellat

Lirim Kastrati dhe Dani Olmo ishin shokë skuadre dikur, por të mërkurën në mbrëmje ata u përballen në fushë kundër njëri-tjetrit për herë të parë.

Ylli i Kosovës Lirim Kastrati e shkëmbeu fanellën me Dani Olmon e Spanjës, pas humbjes së dardanëve 3:1 kundër furisë së kuqe në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës 2022 në Sevillë.

Anësori i RB Leipzig e shënoi golin e parë të Spanjës, duke e lënë Samir Ujkanin të shtangur me një goditje mahnitëse që përfundoi në këndin e lartë të majtë të portës.

Kastrati, i cili u fut në lojë në pjesën e dytë, pati dy mundësi të arta të shënonte por dështoi ta bënte atë që e bëri ish-shoku i skuadrës te Dinamo Zagrebi.

Pas ndeshjes, Kastrati dhe Olmo u takuan për t’i shkëmbyer fanellat.

22-vjeçari kosovar, i lindur në Kroaci, e postoi një fotografi me Olmon në Instagram me mbishkrimin: “Më vjen mirë që të pashë, mik”.

Olmo iu përgjigj pa humbur kohë: “Më vjen mirë që të pashë, vëlla. Paç fat!”

Disfata ndaj Spanjës ishte e dyta për Kosovën në dy ndeshjet e para kualifikuese në Grupin B dhe nënkupton që verdhekaltrit janë të fundit në tabelë pa pikë. Grupit i prin Spanja me shtatë pikë, e ndjekur nga Suedia me gjashtë.

Greqia është e treta me dy pikë nga dy ndeshje. Gjeorgjia është e parafundit me një pikë nga tri ndeshje.

(Kosova Sot Online )