Juventusi po mendon ta zëvendësojë Pirlon me Gattuson

  • 17 May 2021 - 11:47
Juventusi po mendon ta zëvendësojë Pirlon me Gattuson

Juventusi është duke e studiuar të ardhmen dhe thuhet se po mendon ta zëvendësojë Andrea Pirlon me trajnerin e tanishëm të Napolit, Gennaro Gattuso. Pirlo ka dështuar ta dëshmojë veten si trajner i Allianz Stadium në sezonin e tij të parë në stolin e bardhezinjve dhe në Itali janë të sigurt se ai do të shkarkohet në fund të sezonit. Juve është duke u përgatitur për ndeshjen finale në Kupën e Italisë kundër Atalantas dhe vjen pas dy fitoreve të mëdha kundër Sassuolos dhe Interit në Serie A.

Por Juve renditet në vendin e pestë në tabelën e Serie A me një pikë larg vendit të katërt, kur ka mbetur vetëm edhe një ndeshje deri në përfundim të sezonit. Gattuso i ka ndihmuar Napolit t’i kthejë gjërat në favorin e vet dhe renditet i treti në tabelë, por ish-mesfushori italian duket pranë largimit nga Napoli për shkak të marrëdhënieve të ftohta me presidentin e klubit, Aurelio De Laurentiis. Gazeta Tuttosport raporton se Juventusi e sheh Gattuson si trajner të mundshëm të skuadrës për sezonin 2021/22. Massimiliano Allegri dhe Zinedine Zidane janë përmendur po ashtu si synime të mundshme të bardhezinjve. 

(Kosova Sot Online )