Rashica në top 10-të shitjet rekord të Werder Bremen
Rashica është transferuar në Premier League te Norwich. Për sulmuesin anësor të Kosovës “Kanarinat” kanë paguar 11 milionë euro. Sulmuesi i Kombëtares ka nënshkruar kontratë katër vjeçare, deri më 2025.
Milot Rashica ka hyrë në top 10 shitjet më të shtrenjta në histori të Werder Bremen, pasi u trasnferua në Premierligë te Norwich City për 11 milionë euro.
Djaloshi shqiptar nga Vushtrria është shitur sa Davy Klaassen dhe dy lojtarët ndajnë vendin e tetë dhe të nëntë.
Dhjetëshen e mbyll mbrojtësi Sokratis, i cili për 9.3 milion euro kaloi te Borussia Dortmund verën e vitit 2013.
Në vend të shtatë është një emri i njohur, Per Mertesacker. Qendërmbrojtësi u shit tek Arsenali në vitin 2011 për 11.3 milion euro.
Renditja vijon me Anthony Ujah, për të cilin kinezët e Liaoning FC paguan 11.5 milion euro.
Jannik Vestergaard është shitur nga Werder Bremen për 12.5 milion euro te Borusia M’Gladbah, transferim që renditet si i pesti më i shtrenjtë.
Në vendin e katërt është një emër i madh, Miroslav Klose. Në verën e vitit 2007 Bayern Munich e bleu për 15 milion euro.
Në podium është Mesut Ozil, që kaloi te Real Madrid për 18 milion euro.
Në vend të dytë është Thomas Delaney, i cili u shit 20 milion euro para tre vitesh te Borussia Dortmund.
Rekordin e mban ende braziliani Diego, ylli i mesfushës që kaloi në vitin 2009 te Juventusi për 27 milion euro.
Rashica tha menjëherë pas transferimit te Norwich se gjithmonë ka ëndërruar të luajë në Premierligë.
24-vjeçari u ka premtuar tifozëve të Norwich se sa herë të zbresë në fushë, do të tentojë të japë më të mirën që të ndihmojë skuadrën me gola dhe asiste.
Sulmuesi i Kombëtares ka nënshkruar kontratë katër vjeçare, deri më 2025 me Norwich Cityn.
(Kosova Sot Online)