Trajneri i Spanjës pas disfatës: Kur e pashë sesi Italia e ndali Lukakun…

  • 07 July 2021 - 10:31
Trajneri i Spanjës pas disfatës: Kur e pashë sesi Italia e ndali Lukakun…

Trajneri i Spanjës, Luis Enrique, ka treguar se vendosi të luajë me një sulmues fals pasi e kishte parë sesi Italia e kishte ndalur me lehtësi Romelu Lukakun dhe theksoi se do ta mbështesë Italinë në finalen e Euro 2020.

Italia e arriti finalen e Euro 2020 pasi e mundi Spanjën e Enriques 4:2 në penallti të martën në Wembley.

Të kaltrit e kishin fitoren në dorë pas golit të epërsisë që Federico Chiesa e shënoi në minutën e 60-të, por Alvaro Morata e barazoi rezultatin 10 minuta para fundit, për ta çuar ndeshjen në shtesë ku nuk pati gola më.

Enrique u përpoq ta befasojë homologun e vet Roberto Mancini, duke vendosur t’i lërë në stol Alvaro Moratan dhe Gerard Moreno, për të luajtur me një 9 fals.

Ai e pranoi pas ndeshjes së këtë e kishte bërë pasi e kishte parë sesi dyshja Giorgio Chiellini dhe Leonardo Bonucci e kishin ndalur Romelu Lukakun në fitoren e Italisë 2:1 kundër Belgjikës në çerekfinale.

 “E pashë si Chiellini dhe Bonucci u përballën me Lukakun dhe mendova se mbase ishte më mirë të luanim pa një pikë reference dhe të shtonim një trup më shumë në mesfushë. Ishte plan i mirë, sepse ne tejkaluam presionin italian dhe luajtëm shumë mirë”, tha Enrique pas ndeshjes. Ai tha se do të jetë tifoz i Italisë në finalen e së dielës, ku të kaltrit do të përballen me Anglinë ose Danimarkën. “E uroj Italinë dhe shpresoj se do ta bëjë edhe një paraqitje tjetër të mirë në finale dhe ta fitojë trofeun”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online )