Të veçantit e Lojërave Olimpike – Atletët refugjatë

  • 24 July 2021 - 11:58
Të veçantit e Lojërave Olimpike – Atletët refugjatë

Një është vrapues maratone që si fëmijë kishte ikur nga lufta duke kaluar një shkretëtirë në këmbë. Një tjetër është notar që kishte ikur nga konflikti e kishte ndihmuar që një barkë plot njerëz të vendosej në vend të sigurt duke kërcyer në ujë, kur motori i ishte prishur.

Të gjithë njëzet e nëntë pjesëtarët e Ekipit Olimpik të Refugjatëve kanë përjetuar vështirësi gjatë ikjes nga atdheu i tyre mes konfliktit e përndjekjes dhe u përballën me vështirësi për t’iu përshtatur kulturave të reja. Duke i tejkaluar të gjitha këto, të premten, anëtarët e këtij ekipi bëri një hyrje magjepsëse gjatë ceremonisë hapëse të Lojërave Olimpike Tokio 2020, të shtyra për një vit për shkak të pandemisë.

Duke përshëndetur me duar para kamerave, anëtarët e ekipit me prejardhje nga 11 shtete, përfshirë Sirinë, Sudanin Jugor, Iranin dhe Afganistanin, hynë në stadium të dytët pas Greqisë, e cila tradicionalisht prin në parakalimin e kombeve.

Ata u udhëhoqën nga dy flamurtarë – Yusra Mardini, me prejardhje nga Siria, dhe maratonisti Tachlowini Gabriyesos, i cili ka ikur nga Eritrea. Ata mbajtën një flamur të bardhë me pesë unazat olimpike, të cilat i simbolizojnë pesë kontinentet. Për herë të parë në Lojërat Olimpike, secili ekip u udhëhoq nga një atlet dhe një atlete.

Pas pjesëmarrjes në parakalim me rroba të marinarëve dhe pas përshëndetjeve me dorë para kamerave, ekipi më vonë u mirëprit nga Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, gjatë fjalimit të tij hyrës.

“Të dashur atletë refugjatë, me talentin dhe shpirtin tuaj human ju po tregoni se çfarë pasurie janë refugjatët për një shoqëri. Ju u desh të iknit nga shtëpitë për shkak të dhunës, urisë apo vetëm pse ishin të ndryshëm. Sot, ne ju mirëpresim krahëhapur dhe ju ofrojmë një shtëpi paqësore. Mirë se erdhët në komunitetin tonë olimpik”, iu tha atletëve refugjatë Thomas Bach.

Pesë vjet më parë, në Rio de Janeiro, dhjetë atletë nga katër kombe ishin pjesë e ekipit të parë olimptik të refugjatëve. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar e krijoi këtë ekip në bashkëpunim me UNHCR-në, agjenci e Kombeve të Bashkuara për refugjatë, për ta rritur vetëdijen rreth gjendjes së vështirë të refugjatëve dhe për të dërguar një mesazh shprese për refugjatët e tjerë dhe për botën.

“Është diçka që na jep shpresë se bota na njeh si qenie njerëzore”, tha James Nyang Chiengjiek, i cili do të garojë në 800 metra vrapim. Ai ishte pjesë e ekipit edhe në Brazil. “Sporti i ka hapur dyert për ne dhe tani po shohim se shumë refugjatë kanë talent”, shtoi ai.

Si adoleshent, Chiengjiek u largua nga shtëpia e vet në Sudanin Jugor për ta shmangur rekrutimin në ushtri si fëmijë dhe rrugëtimin e bëri pa prindër deri në vendbanimin për refugjatë në Kakuma, në pjesën veriore të Kenisë, ku për herë të parë u zbulua talenti i tij për vrapim.

Normalisht, atletët që parakalojnë përshëndeten nga ulërimat e turmave, por për shkak të masave kundër koronavirusit, që nënkupton se spektatorët s’mund të marrin pjesë, këtë vit stadium ishte kryesisht i qetë, duke e kthyer ceremoninë më shumë në një ngjarje televizive, të shikuar nga miliona njerëz përreth botës.

Komisioneri i lartë I Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, Filippo Grandi, i cili këtë javë ndodhet në Tokio për ta përkrahur ekipin e refugjatëve, e përshkroi momentin e shikimit të Ekipit Olimpik të Refugjatëve duke hyrë në Stadiumin Olimpik të Tokios si çast të krenarisë së pafund për të dhe për tërë UNHCR-në.

“T’i shohësh këta atletë refugjatë të nderuar e të duartrokitur në skenën olimpike ishte moment i rëndësishëm për përfaqësimin e mbi 82 milionë personave të zhvendosur të botës dhe përkujtim për botën që, kur u jepet mundësia për t’i realizuar ëndrrat e pasionet, refugjatët janë kontribuues të fuqishëm në shoqëri”, tha Grandi.

Në bazë të shteteve, shumica – nëntë atletë – vijnë nga Siria, e cila është goditur rëndë nga konflikti që nga viti 2011. Pesë të tjerë më parë jetonin në Iran, katër në Sudanin Jugor dhe tre në Afganistan. Në mesin e shteteve të tjera të prejardhjes janë Eritera, Iraku, Kongo, Republika Demokratike e Kongos, Kameruni, Sudani dhe Venezuela.

“Unë nuk dorëzohem”

Gabriyesos, 23 vjeç, iku nga luftimet në Eritre në moshën 12-vjeçare, duke bërë një udhëtim të jashtëzakonshëm drejt veriut, nëpër Sudan e Egjipt, përfshirë kalimin e një pjese të shkretëtirës në këmbë, për të arritur në Izrael, ku e kërkoi statusin e refugjatit. Ai tani jeton dhe ushtron në Tel Aviv, ku vrapon me një klub local.

Fillimisht, Gabriyesos vraponte në distanca më të shkurtra – 3 mijë, 5 mijë e 10 mijë metra dhe gjysmëmaratonë – para se ta provonte maratonën. Në mars, ai vrapoi në maratonën e tij të dytë, duke arritur në cak për një kohë të shpejtë – 2 orë e 10 minuta e 55 sekonda, që është nën kohën kualifikuese të Maratonës Olimpike. “Unë nuk dorëzohem”, tha ai në një intervistë para lojërave.

Kjo gjithashtu do të jetë pjesëmarrja e dytë në Lojëra Olimpike për notaren MArdini, 23 vjeçe, e cila do të garojë në stilin 100 metra flutur. Me prejardhje nga Damasku, Mardini ishte notare e dalluar, që e përfaqësonte Sirinë në gara ndërkombëtare. Por pas përkeqësimit të konfliktit në vendin e saj, ajo, bashkë me motrën e vet, u larguan nga Siria në vitin2015 në përpjekje për të arritur në Evropë.

“Sporti ma shpëtoi jetën”

Nga Turqia, Mardini hipi në një barkë të vogël për të lundruar 10 kilometra drejt një ishulli grek. Udhëtimi do të duhej të zgjaste 45 minuta. Kur motori i barkës për 6-7 persona, por që kishte 20, u prish, ajo dhe motra e saj ishin në mesin e personave që u futën në ujë dhe notuan për ta lehtësuar ngarkesësn dhe për ta dërguar barkën në mënyrë të sigurt në breg.

Mardini më në fund ia doli të shkonte këmbë e me autobus në Berlin të Gjermanisë, ku jeton tash. Njësoj si atletët e tjerë, ajo tha se sporti i dha jetës së saj kuptim dhe drejtim gjatë përshtatjes në mjedisin e ri. “Unë e tregoj rrëfimin tim, sepse dua që njerëzit të kuptojnë që sporti ma shpëtoi jetën”, tha ajo.

Tani ambasadore e vullnetit të mirë në UNHCR, një nga porositë kryesore të saj është që refugjatët janë njerëz normalë, të cilët janë detyruar që të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të rrethanave që janë jashtë kontrollit të tyre.

“Mendoj që është mundësi e mrekullueshme për të përfaqësuar miliona (refugjatë) përreth botës, për të treguar që ata njerëz janë normalë dhe kanë ëndrra. Dua gjithashtu që t’ua kujtoj të gjithëve se refugjatët janë ende në kampe dhe vërtet kanë nevojë për ndihmën tonë”, tha në fund Mardini.

(Kosova Sot Online )