Akil Gjakova: Erdha për medalje olimpike, por vendi i shtatë s’është edhe i keq

  • 26 July 2021 - 12:21
Akil Gjakova: Erdha për medalje olimpike, por vendi i shtatë s’është edhe i keq

Akil Gjakova ka thënë se synimi i tij primar ishte një medalje olimpike në Lojërat Olimpike Tokio 2020, por u nda i kënaqur sado pak me vendin e shtatë në kategorinë deri në 73 kilogramë.

Akili dështoi të fitojë medalje në Lojërat Olimpike Tokio 2020, pasi u mund nga Rustam Orujov në gjysmëfinale të repesazhit të hënën.

Xhudisti nga Azerbajxhani e mundi kosovarin në luftë për një vend në finale për medaljen e bronztë në kategorinë deri në 73 kilogramë në Tokio.

Këtu edhe morën fund përpjekjet e kampionit evropian për medalje olimpike.

“Nuk jam shumë i kënaqur edhe pse performacen e kam pasur të mirë. Kam ardhur për të marr medalje dhe duke e pasur parasysh që jam kampion evropian edhe synimi im ka qenë medalja. Por vendi i shtatë nuk është edhe aq i keq”, tha Akili pas humbjes.

Akili i humbi një luftë të barabartë pas një gabimi në tentim për ta hedhur në tapetë kundërshtarin duke përfunduar vetë në tapetë.

25-vjeçari i fitoi tri luftërat e para, para se të mposhtej në çerekfinale nga xhudisti mongol Tsendochir Tsogtbaatar, ku edhe e humbi mundësinë për medalje të artë apo argjendtë.

Ai pati mundësi të dytë për medalje, atë të bronztë, por nuk ia doli ta kalojë gjysmëfinalen e repesazhit, pavarësisht luftës së mirë që bëri ndaj azerit.

Akili duhet të pajtohet vetëm me vendin e shtatë në Tokio 2020 dhe pa medalje.

Por ai mund të krenohet me suksesin e motrës së vet, Norës, e cila e ka siguruar të paktën medaljen e argjendtë dhe do të luftojë për medaljen e artë në kategorinë deri në 57 kilogramë.

“Si familje jemi tejet të kënaqur dhe si vëlla jam shumë i lumtur”, shtoi ai.

Kosova i ka siguruar dy medalje olimpike në Tokio deri tani, të dyja në xhudo, pasi të shtunën Distria Krasniqi e fitoi të artën në kategorinë deri në 48 kilogramë.

(Kosova Sot Online )