Pjanic gjithnjë e më larg Barçës, por problem mbetet paga e lartë
Miralem Pjanic është gjithmonë e më lart Barcelonës dhe për të mësuar klubin e tij të ardhshëm mbetet vetëm të priten dy ditët e ardhshme, që janë edhe të fundit të merkatos së verës.
Lajmin e ka konfirmuar trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, që në konferencën për shtyp në prag të sfidës me Getafen, deklaroi se ka grumbulluar boshnjakun, ndonëse ai është me valixhet gati për t’u larguar nga Katalunja.
“Pjaniç është grumbulluar, por do të largohet dhe është në pritje për të mësuar klubin e tij të ardhshëm. Megjithatë gjatë gjithë javës ai është stërvitur shumë mirë dhe do të ishte mungesë respekti nëse nuk do ta grumbulloja për këtë ndeshje”, deklaroi trajneri holandez.
Mesfushori boshnjak u transferua te Barcelona verën e kaluar, në një operacion që çoi brazilianin Arthur te Juventusi, por pas një sezoni në “Camp Nou” nuk ka arritur të përshtatet dhe është nxjerrë jashtë planeve nga trajneri Koeman.
Barcelona po kërkon një klub që të marrë në huazim mesfushorin, duke qenë se deri tani askush nuk ka trokitur për ta blerë plotësisht kartonin e tij, megjithatë problem mbetet paga e lartë që përfiton Pjanic.
Për huazimin e tij kanë shfaqur interes disa klube, por asnjë prej tyre nuk ka treguar gatishmërinë për të paguar 8 milionë euro neto në sezon, që përfiton aktualisht mesfushori boshnjak te Barcelona.
(Kosova Sot Online)