Kosova favorite e lehtë ndaj Gjeorgjisë, sipas bastoreve botërore

  • 12 October 2021 - 11:59
Kosova favorite e lehtë ndaj Gjeorgjisë, sipas bastoreve botërore

Bastoret kryesore botërore janë duke e favorizuar lehtësisht Kosovën kundër Gjeorgjisë, në ndeshjen e sotme kualifikuese për Kupën e Botës në Prishtinë. Njëra prej shtëpive më të mëdha të basteve, bet365, e sheh Kosovën si favorite pasi i ka vënë kuotën 2.15 për të fituar, derisa fitores së mundshme të Gjeorgjisë i vë kuotë të lartë, 3.75. Barazimi vlerësohet me kuotën 3.10. Edhe shtëpitë e tjera të basteve e favorizojnë kombëtaren dardane përballë gjeorgjianëve.

Kombëtarja e Kosovës do të jetë nikoqire e Gjeorgjisë në Stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, për ndeshjen e parafundit në Grupin B kualifikues në orën 20:45. Gjeorgjia është ekipi i vetëm të cilin Kosova e ka mposhtur në këto kualifikime dhe po ashtu ekipi i vetëm pa fitore në grup. I vetëdijshëm se synimi për ta siguruar pjesëmarrjen në një turne të madh për herë të parë ka marrë fund tashmë, ekipi kombëtar dardan do të përpiqet ta përfundojë këtë fushatë kualifikuese sa më mirë që të jetë e mundur.

Kosova është e parafundit me vetëm katër pikë nga pesë ndeshje, katër më pak se vendi i tretë Greqia dhe tri më shumë se Gjeorgjia në vendin e fundit. Spanja dhe Suedia i prijnë grupit me nga 13 dhe 12 pikë, përkatësisht. Kjo është hera e dytë që Kosova merr pjesë në kualifikime për Botëror që prej pranimit në UEFA e FIFA më 2016, pas debutimit në fushatën kualifikuese për Kupën e Botës 2018, kur nuk arriti ta shënojë asnjë fitore. Por as fushata e dytë kualifikuese nuk ka qenë më e mirë, pavarësisht rritjes së Kosovës si ekip dhe një fushate të mrekullueshme kualifikuese për Euro 2020 paraprakisht.

(Kosova Sot Online )