“Zenga e njeh mirë ekipin e Kosovës, do të ishte trajneri ideal”

  • 14 October 2021 - 12:14
“Zenga e njeh mirë ekipin e Kosovës, do të ishte trajneri ideal”

Walter Zenga është njëri prej kandidatëve për ta pasuar Bernard Challandesit në bankinën e ekipit kombëtar të Kosovës.

Këtë e ka bërë të ditur dje media në bazë të burimeve të saj.

Gazeta e ka kontaktuar sot njërin prej njerëzve më të afërt të trajnerit italian, i cili nuk deshi t’i përmendej emri.

Ai thekson se ish-portieri i njohur italian nuk ka marrë ende ofertë nga Federata e Futbollit të Kosovës.

Por, sipas tij, Zenga e njeh mirë ekipin e Kosovës dhe insiston se italiani do të ishte trajneri ideal për t’i drejtuar “Dardanët” në të ardhmen.

“Është normale që Zenga e ka përcjellë Kosovën, njeh shumë lojtarë të Kosovës sepse tash lojtarët e Kosovës luajnë në kampionatet më të mirë në Evropë. Walter është një trajner i ri që aty ku ka shkuar ka bërë mirë, si në Rumani, në Serbi, në Arabi, në Dubai, në Itali. Aty ku ka qenë është munduar ta instalojë stilin e lojës së vetë. Ai pëlqen ta luajë një futboll sulmues, një futboll që t’i pëlqejë publikut. Atij i pëlqen t’ua japë rastin lojtarëve të rinj, nuk e ka problem moshën. Nëse një lojtar e meriton, nuk e ka problem ta fusë në lojë. Realiteti i Kosovës është që i duhet një trajner italian sepse e ka atë mentalitetin e tillë. Trajnerët italianë që kanë shkuar në Shqipëri kanë bërë mirë. Pra, Zenga do të ishte një trajner ideal për Përfaqësuesen e Kosovës”, thotë ekskluzivisht për “Gazetën Express” personi i afërt me Zengan.

61 vjeçari e kishte një karrierë të pasur si trajner pasi i ka udhëhequr ekipet si New England Revolution, Brera, National Bucuresti, Steaua Bucuresti, Crvena Zvezda, Gaziantepspor, Al-Ain, Dinamo Bucuresti, Catania, Palermo, Al Nassr, Al Jazira, Sampdoria, Al-Shaab, Wolverhampton, Crotone, Venezia e Cagliari.

Ai ishte kandidat edhe për Kombëtaren shqiptare pas largimit të Christian Panuccit në vitin 2019 para se Kuqezinjtë t’i merrte në dorë italiani tjetër, selektori aktual Edy Reja.

Gjithashtu, media ka mësuar dje se kandidatë të tjerë për trajner të Kosovës janë edhe gjermani Felix Magath, braziliani Roberto Carlos dhe italiani tjetër, Gianni de Biasi.

Kosova i ndau rrugët dje me trajnerin e deritashëm Bernard Challandes dhe shtëpia e futbollit kosovar ka njoftuar se në ditët në vazhdim do të zbulohet emri i selektorit të ri të “Dardanëve”.

Kosova e pati një kampanjë për t’u harruar në eliminatoret e Botërorit 2022, ku e ka regjistruar vetëm një fitore dhe e ka një ndeshje pa e zhvilluar.

Me trajnerin e ri, Verdhekaltrit e synojnë këndelljen dhe ringritjen. 

(Kosova Sot Online )