PSG-ja e palumtur me Messin

  • 08 November 2021 - 12:37
PSG-ja e palumtur me Messin

Paris Saint-Germain është i palumtur që Lionel Messi ka vendosur të grumbullohet me ekipin kombëtar të Argjentinës, në një kohë kur është duke u shëruar nga lëndimet.

Argjentina e ftoi sulmuesin e PSG-së për ndeshjet kualifikuese të këtij muaji për Kupën e Botës 2022, por prania e 34-vjeçarit në të i habiti shumë njerëz. Messi është duke i shëruar dy lëndime, një në gjurin e majtë dhe një në muskulin e kofshës.

Ish-ylli i Barcelonës kishte munguar në fitoret e PSG-së kundër RB Leipzig në Ligën e Kampionëve të mërkurën dhe në atë kundër Bordeaux në Ligue 1 të shtunën.

Argjentina shpreson se ai do të jetë i gatshëm për përballjet me Uruguain të shtunën më 13 nëntor dhe me Brazilin të mërkurën më 17 nëntor.

Por ky vendim i argjentinasit nuk iu ka pëlqyer aspak drejtuesve të PSG-së, përfshirë drejtorit sportiv Leonardo.

“Ne nuk pajtohemi ta lejojmë të shkojë në Kombëtare një lojtar i cili nuk është i shëndoshë të luajë për ne dhe është duke u riaftësuar”, tha Leonardo për Le Parisien.

“Kjo nuk ka kuptim dhe këto situata duhet të bisedohen me FIFA-n”, shtoi ai.

Synimi i Argjentinës është se në dy ndeshjet e këtij muaji ta sigurojë biletën për në Botërorin e Katarit.

Argjentina është në vendin e dytë në renditjen e Amerikës Jugore me 25 pikë, gjashtë më pak se lideri Brazili, dhe shtatë më shumë se vendi i tretë, Ekuadori. 

(Kosova Sot Online )