Media jordaneze e quajnë të çmuar fitoren kundër Kosovës

  • 11 November 2021 - 09:11
Media jordaneze e quajnë të çmuar fitoren kundër Kosovës

Mediat jordaneze e kanë cilësuar si të çmuar fitoren e ekipit të tyre kombëtar 2:0 kundër Kosovës, në një ndeshje miqësore të mërkurën në Prishtinë.

Baha Faisal dhe Hamza Ali Khaled Al Daradreh shënuan nga një herë në stadiumin Fadil Vokrri për fitoren e skuadrës së Adnan Hamadit.

Derisa kjo ishte fitorja e katërt radhazi për ekipin e Lindjes së Mesme, të gjitha miqësore, për Kosovën ishte disfata e katërt radhazi.

Mediumi jordanez Alabantnews e vlerësoi si të çmuar fitoren e Jordanisë në Prishtinë, në prag të Kupës Arabe 2021 në fund të këtij muaji.

“Ekipi ynë kombëtar e arriti një fitore të çmuar kundër Kosovës, në prag të Kupës së Azisë në Katar”, shkroi Alabantnews.

Kupa Arabe 2021 do të mbahet nga 30 nëntori deri më 18 dhjetor. Ky do të jetë edicioni i parë nën këtë emër.

Ndërkohë, ndeshja e djeshme në kryeqytet ishte e para e Kosovës pas shkarkimit të trajnerit Bernard Challandes.

Primoz Gliha, ish-ndihmëstrajneri i zviceranit, e udhëhoqi kombëtaren dardane të mërkurën, por dështoi të tregojë ndonjë ndryshim pozitiv në fushë.

Ishte njëra prej paraqitjeve më të dobëta të verdhekaltërve kohëve të fundit dhe vjen në prag të ndeshjes së fundit kualifikuese për Kupën e Botës 2022 kundër Greqisë.

Kosova i humbi herët shpresat për kualifikim për herë të parë në një turne të madh dhe do të përpiqet ta shmangë vendin e fundit në Grupin B kualifikues kur të përballet me Greqinë të dielën në Athinë.

(Kosova Sot Online )