Portugalia dhe Spanja kërkojnë kualifikimin, Maqedonia e Veriut e do “play off”-in

  • 11 November 2021 - 12:02
Portugalia dhe Spanja kërkojnë kualifikimin, Maqedonia e Veriut e do “play off”-in

Sfidave kualifikuese të Konfederatës së UEFA-s po iu vjen fundi dhe në Kontinentin e Vjetër skuadrat përfaqësuese vazhdojnë përgatitjet për javën përcaktuese sa u përket ndeshjeve në grupe për kampionatin e ardhshëm botëror që do të zhvillohet në Katar vitin tjetër, gjatë muajve nëntor – dhjetor.

Përveç Katarit, që natyrisht do të marrë pjesë falë statusit të vendit organizator, për në fazën finale të botërorit të ardhshëm kanë prerë biletën respektivisht që në datat 11 dhe 12 tetor edhe ekipet kombëtare të Danimarkës dhe Gjermanisë.

Duke pasur parasysh formulën e këtij aktiviteti, që iu mundëson të gjithë ekipeve që e mbyllin aventurën e tyre në krye të grupit kualifikimin e drejtpërdrejtë, deri mesjavën e ardhshme nga Konfederata e UEFA-s pritet të fitojnë të drejtën për të shkuar në Katar gjithashtu edhe tetë vende të tjera, kështu që skuadrat përfaqësuese më të rëndësishme evropiane janë në luftë me kohën për të shmangur play off-in, fazë ku dhjetë kombëtaret që do të pozicionohen në vendin e dytë në grupet e tyre bashkë me dy vendet e tjera të mbetura, që kanë pozicionimin më të mirë nga edicioni i fundit i Ligës së Kombeve do të zhvillojnë më pas dy faza “knock out”-i me tek ndeshje, për të nxjerrë edhe tre emrat e fundit, që do të kualifikohen për në Kupën e Botës nga Kontinenti Evropian.

Janë disa skuadra përfaqësuese që janë në vështirësi dhe aktualisht rrezikojnë pikërisht fazën play off, megjithatë probleme nuk mendohet aspak që të ketë kombëtarja luzitane, e cila të enjten në mbrëmje pritet që më në fund të marrë kryesimin e Grupit A.

Portugalia do të masë forcat në Dublin me Republikën e Irlandës dhe është e qartë që me çfarëdo lloj rezultati pozitiv skuadra e drejtuar nga veterani Fernando Santos do të kërcejë drejt e në vendin e parë të këtij grupi.

Mbrojtësi i majtë I Paris SG Nuno Mendes është i skualifikuar, ndërsa futbollisti i Manchester City-t, Bernardo Silva, do të mungojë në këtë sfidë, për shkak të problemeve muskulore. Ndeshja përcaktuese për Portugalinë pa dyshim do të luhet të dielën e ardhshme në “Da Luz” të kryeqytetit, por gjithsesi 67-vjeçari nga Lisbona, Fernando Santos, nuk ka ndër mend që të ruajë lojtarët, kështu që ekipi luzitan pritet të zbresë në “Aviva Stadium” të Dublinit me mbrojtjen më të mirë: Joao Cancelo – Ruben Dias – Pepe dhe Diogo Dalot, ndërsa pikëpyetjet e vetme janë thjesht për një vend në mesin e fushës mes treshes Ruben Neves – Joao Palhinha – Danilo Pereira.

Portugalia vazhdon të bëjë pjesë në dhjetëshen e parë të botës, më saktë në vendin e tetë, ndërsa Republika e Irlandës klasifikohet në pozicionin e 51 në renditjen e FIFA-s. Bardhëjeshilët kanë humbur thjesht 1 nga 8 sfidat e fundit, por gjithsesi në Grupin A ekipi i drejtuar nga trajneri Stephen Kenny është paraqitur dobët, duke u pozicionuar aktualisht në vendin e parafundit, në kuotën e 5 pikëve, pra një pikë më pak edhe se ekipi i Luksemburgut, që klasifikohet në vendin e tretë pas gjashtë ndeshjeve të para.

Portugalia kryeson 8-4 bilancin e përgjithshëm të 14 sfidave ndërmjet tyre, për më tepër ekipi luzitan ka humbur vetëm 1 nga 5 ndeshjet kompetitive mes këtyre dy vendeve, edhe në këtë rast bëhet fjalë për një duel të luajtur çerek shekulli më parë, pra në 26 prillin e vitit 1995 në Dublin, që u vendos nga një gol i ish-mbrojtësit të Liverpulit dhe Aston Vilës Steve Staunton. Ndeshja do të luhet në orën 20:45 dhe ky takim I është besuar spanjollit Gil Manzano.

Në këtë grup Serbia ka ditën e pushimit, por gjithsesi skuadra e drejtuar nga Dragan Stojkovic do të zhvillojë një ndeshje përgatitore me ekipin e Katarit. Sa u përket llogarive të këtij grupi gjithçka është fare e thjeshtë dhe e kuptueshme, sepse skuadrës përfaqësuese luzitane i mjaftojnë edhe dy barazime për t’u kualifikuar direkt për në botërorin e ardhshëm.

Me interes pritet gjithashtu edhe takimi tjetër, Greqi – Spanjë, duel i vlefshëm për Grupin B, ku “La Furia Roja” vazhdon të ndjekë Suedinë në klasifikimin e përgjithshëm. Përfaqësuesja skandinave, që do të masë forcat në Tbilisi, me Gjeorgjinë, kryeson grupin në kuotën e 15 pikëve, ndërsa skuadra e Luis Enriques që vjen nga zhgënjimi i finales me Francën në UEFA Nations League ndjek me dy pikë më pak.

Në sfidën e parë në Qytetin e Granadës më 25 marsin e këtij viti përfaqësuesja greke e mbajti Spanjën në një barazim 1-1, gjithsesi takimi këtë herë do të mbahet në orën 20:45 në Stadiumin Olimpik “Spyros Louis” të kryeqytetit helen, ku “La Roja” ka fituar përherë. Është e qartë që gjithçka sa u përket llogarive të këtij grupi pritet të zgjidhet të dielën e ardhshme, në stadiumin “La Cartuja” të Seviljes me përballjen direkte Spanjë – Suedi.

Një ndër sfidat më të forta të mbrëmjes do të luhet në Grupin J, e bëhet fjalë për ndeshjen e orës 18:00 në Yerevan Armeni – Maqedoni e Veriut, ndërkaq takimi tjetër i këtij grupi Gjermani – Lihtenshtejn do të mbahet në orën 20:45, në Volkswagen Arena të Wolfsburgut dhe vlen vetëm për statistika.

(Kosova Sot Online  )