Napoli nuk e harron Maradonën: Gati nderimi i radhës ndaj Lazios, zbulohet plani

  • A.P /
  • 17 November 2021 - 21:34
Napoli nuk e harron Maradonën: Gati nderimi i radhës ndaj Lazios, zbulohet plani

Në fillim emri i stadiumit dhe tani një statujë. Napoli apo Diego Armando Maradona janë e njëjta gjë. Legjenda e futbollit argjentinas, për shumëkënd më i miri në histori, ndërroi jetë 25 nëntorin e vitit të kaluar, pak ditë pasi kishte festuar 60-vjetorin e lindjes.

Lot në Buenos Aires dhe në qytetin jugor italian, aty ku “El Diez” ka qenë, vazhdon të jetë dhe do të mbetet një idhull i përjetshëm.

Stadiumi ku ekipi i Luciano Spalletit luan sfidat shtëpiakë, mori emrin Diego Armando Maradona, teksa nuk kanë mbaruar surprizat dhe nderimet.

Në ndeshjen e kampionatit ndaj Lazios, që është programuar të luhet me 28 nëntor, tre ditë pas njëvjetorit të ikjes së Maradonës nga kjo botë, në stadiumin që mban emrin e tij do të vendoset një statujë e ish-futbollistit magjik.

Statuja ka përmasa reale dhe është bërë për të nderuar një premtim ndaj vetë Maradonës në vitin 2017, kur ai u bë qytetar nderi i Napolit. Këmba e majtë dhe “dora e Zotit” janë zbukuruar me një fletë ari.

Tifozët e Napolit po e presin me padurim ndeshjen me skuadrën e Sarrit dhe stadiumi “Diego Armando Maradona” pritet të mbushet plot në nderim të ish-kapitenit dhe yllit të skuadrës italiane.

(Kosova Sot Online)